Site icon Telegrafi

Agjenti tregon planet e Sergio Ramosit për të ardhmen: Ai dhe klubi kanë dëshirë të njëjtë

Sergio Ramos. (Photo by Gonzalo Arroyo Moreno/Getty Images)

Sergio Ramos është futur në vitin e fundit të kontratës me Real Madridin, pasi ajo skadon në verën e vitit 2021.

Por deri më tani ende nuk ka një marrëveshje mes klubit dhe lojtarit për një kontratë të re.

34-vjeçari është pjesë e Real Madridit që 15 vite, kur iu bashkua atyre në vitin 2005 nga Sevilla për 27 milionë euro.

Vëllai i kapitenit madrilen Rene Ramos që është edhe agjent i lojtarit ka thënë se ai dhe klubi kanë dëshirë të njëjtë për vazhdimin e bashkëpunimit.

“Për momentin ka synime shumë të mira nga të dyja palët, si nga ne ashtu edhe nga klubi”.

“Dëshira e Sergios është ta përfundojë karrierën te Reali dhe edhe klubi ka të njëjtën dëshirë”, tha Rene Ramos.

Sergio Ramos. (Photo by David Ramos/Getty Images)

“Megjithatë deri më tani nuk kemi folur asgjë, por nuk është diçka për tu alarmuar, pasi në momentin që klubi e sheh të nevojshme për bisedime atëherë do të flasim”, deklaroi Rene Ramos për Radio Marca.

Ramos është kapiten i Realit dhe konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mirë në histori.

Reprezentuesi spanjoll në 15 vite te Los Blancos ka fituar 21 trofe, duke përfshirë katër Liga të Kampionëve, katër La Liga, dy herë Kupën e Mbretit, katër herë Super Kupën spanjolle, katër herë Kupën e Botës për klube dhe tri herë të tjera Super Kupën e Evropës. /Telegrafi/

Exit mobile version