Telegrafi

Agjenti i Salah zbulon për tifozët e Liverpoolit planet e tij pas përfundimit të sezonit

Agjenti i yllit të Liverpoolit, Mohamed Salah, ka zbuluar për tifozët e Liverpoolit planet për afatin kalimtar veror.

Pasi tashmë ishte e konfirmuar se Liverpooli ka mbetur jashtë garës për titull të Ligës Premier, për tifozët e Liverpoolit ndeshja e fundit e sezonit kishte rëndësinë e dhënies së lamtumirës për Jurgen Klopp.

Në janar të këtij viti, trajneri gjerman kishte njoftuar se ai do të largohet nga klubi në fund të sezonit, pas pothuajse nëntë vitesh në krye të tyre.

Tifozët e Liverpoolit ishin të ‘shkatërruar’ nga ky lajm dhe e përdorën ndeshjen e së dielës ndaj Wolvesit në ‘Anfield’ për t’i dhënë lamtumirën Kloppit.

Lexo po ashtu I mblodhi bashkë për herë të fundit – fjalimi emocional i Kloppit që preku zemrat e lojtarëve të Liverpoolit

Përveç trajnerit, ajo që i shqetësonte më së shumti tifozët e klubit ishte e ardhmja e Mohamed Salah.

Sulmuesi egjiptian ishte lidhur me një kalim në Arabinë Saudite që nga vera e kaluar, dhe kishte raportime se do ta ndjekë Kloppin në rrugën e largimit nga Anglia.

Sidoqoftë, duket se 31-vjeçari nuk po shkon askund pasi këtë pretendon që e ka zbuluar një tifoz i klubit.

Gjatë ndeshjes së të diles, një tifoz i Liverpoolit postoi një fotografi me Ramy Abbas, agjentin e Salah.

Sipas tifozit, agjenti i ka thënë atij se Salahu nuk do të shkojë askund dhe se do të mbetet pjesë e Liverpoolit edhe për sezonin e ardhshëm./Telegrafi/