Agjenti i Paul Pogbas, Mino Raiola, e pranoi se është “një moment delikat” në Manchester United, por mesfushori francez nuk është në shitje.
Pogba ka qenë në një betejë gjithnjë e më të tensionuar me trajnerin e tij Jose Mourinho.
E ardhmja e tij ka qenë në udhëkryq dhe shumë e përfolur javëve të fundit për një largim nga Old Trafford.
Megjithatë, raporte e fundit thonë që ish-trajneri i Interit, Mourinho, mund të shkarkohet qysh në këtë fundjavë dhe Pogba mund të ketë qetësi.
Për të ardhmen e francezit ka folur edhe agjenti i tij Raiola, i cili e ka cilësuar këtë moment te Unitedi si delikat, por ka shtuar se klienti i tij nuk është në shitje.
“Preferoj të mos flas për Pogban tani”, ka thënë fillimisht Raiola për Rai Sport.
“Është një moment delikat, siç e dinë të gjithë. Manchester United në çdo rast ka qenë shumë i qartë me të gjithë: Pogba nuk është në shitje”, përfundoi agjenti.
Ndryshe, për Pogban ka interesim të madh nga ish-skuadra e tij Juventusi dhe francezët e Paris Saint-Germain. /Telegrafi/