Telegrafi

Agjenti konfirmon varësinë e Tonalit nga lojërat e fatit, a mund të paraqitet ai për Newcastle?

Agjenti i Sandro Tonalit, Beppe Riso, pretendon se mesfushori italian është i ‘tronditur’ dhe ‘duke luftuar një ‘sëmundje’, por thotë se ai mund të luajë kundër Crystal Palace të shtunën.

Riso foli për Sky Sport Italia përpara ndeshjes së sotme kualifikuese për Euro 2024 mes Italisë dhe Anglisë në “Wembley”.

Është hera e parë që Riso flet publikisht për përfshirjen e klientit të tij në këtë skandal bastesh në Itali.

“Ai është pak i tronditur nga situata, por tashmë ka filluar të luftojë. Ai ka luftuar gjithmonë”, ka thënë fillimisht Riso.

Lexo po ashtu Zaniolo dhe Tonali 'të shkatërruar' në Coverciano thotë Spalletti

“Kjo është ndeshja më e rëndësishme kundër një sëmundjeje. Ai na ka mësuar me paraqitje të shkëlqyera dhe kam besim se do ta fitojë këtë betejë. Shpresoj që përvoja e Sandros të shpëtojë jetën e djemve të tjerë. Newcastle ka qenë gjithmonë pranë Tonalit i cili është mjaft i trishtuar ”, vijoi agjenti i lojtarit.

Tonali është rikthyer tek Newcastle dhe po stërvitet me bashkëlojtarët e tij.

“Sandro po stërvitet dhe mund të luajë edhe të shtunën. Ai e ka kuptuar se duhet ta përballojë këtë problem me vendosmëri dhe klubi po e mbështet atë tani”, vazhdoi Riso.

Thuhet se Tonali është i gatshëm të bashkëpunojë me Prokurorinë e Torinos dhe tashmë ka kërkuar ndihmë nga një terapist për të trajtuar varësinë e tij nga lojërat e fatit kanë thënë disa burime në Itali.

Mesfushori italian u bashkua me Newcastle nga Milani verën e kaluar për një shumë prej 80 milionë euro, përfshirë bonuset./Telegrafi/