Telegrafi

Agjenti i Karsdorp flet për të ardhmen e holandezit: Vlera e kartonit të tij ka rënë, Mourinho bëri gabimin e madh

Rick Karsdorp po i kalon ditët e fundit te Roma, pasi largimi i tij nga kryeqyteti italian duket i pashmangshëm.

Mbrojtësi i djathtë holandez ishte akuzuar nga Jose Mourinho pas ndeshjes me Sassuolon dhe ai më nuk ka luajtur për Giallorosët që nga 9 tetori.

Trajneri portugez kishte dhënë deklaratë se u tradhtua nga një futbollist, derisa u zbulua më vonë se bëhej fjalë për Rick Karsdorp të cilin nuk e grumbulloi fare me Torinon.

Gjithsesi krisja mes palëve është e dukshme dhe lojtari gjatë janarit pritet të gjej një klub të ri, pasi nuk bën pjesë në planet e ‘Special One’.

Tani agjenti i Karsdorp, Salvator Civale ka thënë se nuk ka kushte që holandez të mbetet në ‘Olimpico’ dhe vlera e tij tanimë ka rënë.

“Siç e dimë të gjithë, nuk janë më kushtet që Karsdorp të qëndrojë te Roma. Atij gjithashtu i ka rënë vlera e kartonit”, deklaroi Civale, duke treguar se si erdhi deri te prishja e marëdhënies mes lojtarit dhe trajnerit.

“Historia ka lindur e gjitha pas një qëndrimi disi të gabuar të Mourinhos. Të cilësosh tradhtar një lojtar është diçka e rëndë dhe Roma nuk ka bërë përpjekjet e duhura për të qetësuar gjakrat”.

Krejt në fund agjenti italian ka thënë se qëllimi i Romës nuk është ta lë falas të largohet lojtari, derisa klubi duhet të ulë kërkesat.

“Roma nuk ka për qëllim që ta dhurojë lojtarin, kjo është diçka e qartë kështu që do të shohim çfarë do të ndodhë. Megjithatë, duke parë situatën e lojtarit, klubet e tjera mund të kërkojnë të përfitojnë dhe Roma duhet të ulë pretendimet”, deklaroi Civale. /Telegrafi/