Telegrafi

Agjenti: Hakimi zgjodhi vetë Interin dhe është shumë i lumtur

Agjenti i Achraf Hakimit, Alejandro Camano siguron që lojtari zgjodhi vetë Interin dhe është shumë i lumtur, por nuk e di se çfarë do të mbajë e ardhmja.

Marrëveshja u bë për 40 milionë euro, për t’i paguar Real Madridit me katër këste, plus deri në 5 milionë euro bonuse.

“Vetë lojtari e mori vendimin për të shkuar në Inter”, ka thënë fillimisht Camano për Calciomercato.it.

“Tashmë dy ose tre vjet më parë, Piero Ausilio na kishte folur për mundësinë e sjelljes së tij në Milano”.

Lexo po ashtu Theo Hernandez: Unë dhe Achraf Hakimi bëmë mirë që u larguam nga Real Madridi

“Pas kohës së tij në Borussia Dortmund, ai interes u ripërtëri dhe Hakimi vendosi të vinte në Inter”.

Kishte pasur disa raporte që Reali do të përpiqej të rikthente Hakimin, veçanërisht nëse Interi nuk mund të vazhdonte pagesat mes çështjeve të tyre të likuiditetit.

“Që nga sot, ai është shumë i lumtur që luan për një klub kaq të rëndësishëm. Nuk e di çka pret e ardhmja, por them sot që Hakimi është i lumtur dhe skuadra e tij është Interi”.

“Objektivi është të fitojë Scudetton. Pas kësaj, situata e Interit në nivelin e klubit është e komplikuar, por e përsëris: ne jemi shumë të lumtur këtu në aspektin e futbollit”.

Lexo po ashtu Dy gjigantët anglezë në garë për Achraf Hakimin, kërkojnë të përfitojnë nga vështirësitë financiare të Interit

“Ai ka një kontratë pesë-vjeçare, ne nënshkruam sepse ishim shumë të sigurt në projektin e Interit. Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por ky është një hap shumë i rëndësishëm në karrierën e tij”.

“Sigurisht që nuk kemi ndërmend ta lëmë ekipin në një situatë kaq delikate”, përfundoi agjenti i Hakimit. /Telegrafi/