Takimi në mes delegacionit kosovar dhe atij serb, do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme në Shtëpinë e Bardhë.
Drejtori i RTV Dukagjinit, Ermal Panduri në një lidhje direkte në emisionin “Zgjohu” ka zbuluar agjendën e takimeve për ditën e sotme.
Panduri ka treguar se sipas kohës lokale në orën 10:00-12:00 do të mbahet takimi në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Telegrafi.
Në orën 14:00-14:30 Panduri ka treguar se do të jetë një takim i shkurtër i delegacionit kosovar me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo.
Në këtë takim nga Kosova do të jenë prezent kryeministri Avdullah Hoti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, koordinatori për dialog Skender Hyseni dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
Takimi tjetër do të jetë në orën 16:00, ku kryeministri Avdullah Hoti, zëvendësi i tij Driton Selmanaj dhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi do të takohen me drejtorin ekzekutiv të Korporatës ndërkombëtare për zhvillim financiar.
Panduri ka thënë se ky është takimi i fundit i delegacionit të Kosovës, dhe se delegacioni do të kthehet të shtunën për në Kosovë.
“Delegacioni do të kthehet të shtunën në Kosovë në orën 17:50 me orën lokale të Uashingtonit”, tha Panduri. /Telegrafi/