Telegrafi

Agjenda e Spanjës në Shqipëri

Federata Spanjolle e Futbollit ka bërë të ditur një pjesë të agjendës së kombëtares së Spanjës për vizitën e saj në Shqipëri, ndonëse ajo nuk është e plotësuar, pasi nuk ka dhënë detaje për një nga ditët e qëndrimit në vendin tonë.

Sipas njoftimit të publikuar nga Federata Spanjolle, iberikët udhëtojnë të premten, datë 7 tetor nga Torino drejt Tiranës, me një fluturim që pritet të mbërrijë në vendin tonë rreth orës 19:45. Stërvitjen e të premtes, Spanja do ta zhvillojë në Itali gjatë paradites, ndaj më datë 7, nuk do të zhvillojë asnjë seancë stërvitore në vendin tonë.

Ndërkaq, nuk ka asnjë detaj rreth ditës së shtunë, ndonëse dihet se ajo do të zhvillojë një seancë të plotë stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës në orën 20:45, që përkon me orarin zyrtar të ndeshjes, sipas rregullores.

Gjithashtu, saktësohet se menjëherë pas përfundimit të takimit të së dielës në Shkodër, përfaqësuesja spanjolle dhe delegacioni që e shoqëron do të udhëtojë drejt Rinasit, për t’u kthyer në atdhe.