Site icon Telegrafi

Agjencisë së Kosovës për Forenzikë i dhurohet donacion për ekspertiza të ADN-së, për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur

Në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u mbajt ceremonia e dorëzimit-pranimit të pajisjeve për ekspertizë të ADN-së, pjesë e Programit: “Zgjidhja e rasteve të personave të zhdukur nga lufta në Kosovë”.

Në këtë ceremoni morën pjesë: ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Samira Krehic, zv e Kryesuesit të Programit të ICMP-së për Ballkanin Perëndimor,  Jonas Westerlund Ambasador i Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Antonello De Riu, ambasador i Republikës së Italisë në Kosovë, Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, si dhe zëvendësuesi i drejtorit të AKF-së, Ilir Kukaj.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë që nga viti 2020 është duke marrë pjesë në projektin rajonal te ICMP-së, që ka për objektiv kryesor fuqizimin e kapaciteteve vendore në çështjen e testimit (analizës) të ADN-së lidhur me identifikimin e personave të zhdukur.

“Më këtë rast ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi lartë angazhimin e të gjithë akterëve në procesin e personave të pa gjetur. Ai vuri në dukje se me pranimin e këtij donacioni, falë edhe angazhimit të zyrtarëve të AKF-së, do të lehtësohet procesi i zbulimit përmes ADN-së, në mënyrë që të bëhet identifikimi i personave të zhdukur përmes mbetjeve mortore”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

Pajisjet e pranuara nga ICMP për ekspertiza të ADN-së janë teknologjia e fundit në këtë fushë dhe do të ndikojnë pozitivisht në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, në fushën e hetimit kriminal dhe ekspertizës forenzike sipas standardeve ndërkombëtare ISO17025-2017.

Ky projekt si objektiv kryesor e ka fuqizimin e kapaciteteve vendore në çështjen e testimit (analizës) të ADN-së lidhur me identifikimin e personave të zhdukur. Vlera totale e kontingjentit të pajisjeve është rreth: 38,000.00 Euro/Telegrafi/

Exit mobile version