Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), është bërë anëtare me të drejta të plota e Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC).
Përmes një komunikate për media, AIP njofton se vizioni i ICIC është të jetë forum global që lidh Komisionerët për Informim me qëllim të përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies.
“Ndërsa, misioni i ICIC është të ndajë njohuritë dhe praktikat më të mira, të krijojë kapacitete, të ndihmojë në identifikimin e asaj që nevojitet për përparimin global dhe të veprojë si një zë kolektiv në forumet ndërkombëtare me synimin për të përmirësuar të drejtën e njerëzve për informacion publik”.
Në mbledhjen e fundit të mbajtur nga Komiteti Ekzekutiv i ICIC, bëhet e ditur se Kosova është pranuar me vota unanime si anëtare.
“Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e Agjencisë për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare të fushave të përgjegjësisë, me qëllim përfitimin e eksperiencës në zbatimin e standardeve më bashkëkohore për ushtrimin praktik të të drejtave të qytetarëve”.
Në qershor 2023, thuhet se Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi do të përfaqësojë Kosovën në Filipine, ku edhe do të formalizohet ky anëtarësim. /Telegrafi/