Bota është në fazat e para të një epoke të re industriale të prodhimit të teknologjisë për energjinë e pastër, e cila do të trefishohet në vlerë deri në vitin 2030 dhe do të krijojë miliona vende pune, deklaron Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) në një raport.
Tregu botëror për teknologjitë kryesore të prodhuara në masë, duke përfshirë panelet diellore, turbinat e erës, bateritë e automjeteve elektrike, pompat e nxehtësisë dhe elektrolizerëve për hidrogjenin do të arrijë një vlerë prej rreth 650 miliardë dollarësh në vit deri në fund të dekadës.
Shifra është më shumë se tre herë më e lartë se nivelet aktuale, por kushtëzohet nga zbatimi i plotë i premtimeve të shteteve për energjinë dhe klimën. Punët që lidhen me prodhimin e energjisë së pastër do të rriten më tepër sesa dy herë, nga 6 milionë në gati 14 milionë deri në vitin 2030.
“Sektori i energjisë është në prag të një epoke të re industriale – epoka e prodhimit të teknologjisë për energjinë e pastër”, tha IEA.
Tre vende përbëjnë 70 për qind të kapacitetit prodhues për teknologjinë diellore, të erës, baterive, elektrolizerëve dhe pompave të nxehtësisë, me Kinën që dominon në të gjithë këta sektorë.
Rritja e çmimeve të kobaltit, litiumit dhe nikelit në vitin 2022 solli rritjen e çmimit global të baterive për automjetet elektrike me pothuajse 10 për qind.
Kostoja e ndërtimit të turbinave me erë jashtë Kinës është rritur gjithashtu, pas disa viteve që çmimet binin, ndërkohë që edhe për panelet diellore po vihen re tendenca të ngjashme. /Telegrafi/