Telegrafi

Agjencia Kadastrale dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës nënshkruajnë marrëveshjen për qasje në regjistrat pronësorë

Është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Agjencisë Kadastrale dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Sipas njoftimit, qëllimi i kësaj marrëveshje të nënshkruar është që të mundësohet qasja në regjistrat pronësorë, të cilat administrohen nga Agjencia Kadastrale e Kosovës për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Ky avancim i mënyrës së bashkëpunimit, respektivisht formalizimi i bashkëpunimit me marrëveshje ku qartë specifikohen fushëveprimi i bashkëpunimit si dhe përgjegjësitë e palëve nënshkruese vjen si rezultat i disa avancimeve që kohëve të fundit ka zhvilluar Agjencia Kadastrale e Kosovës e që kanë rezultuar me kalimin prej mënyrës tradicionale të ofrimit të të dhënave (CD, email, letër) në mënyrë të avancuar përmes ofrimit të qasjes në të dhëna në kohë reale dhe përmes ueb shërbimeve. Në këtë takim u vlerësua akti i marrëveshjes, duke potencuar se përfitues kryesorë nga një proces i tillë pos palëve nënshkruese, do të jenë vetë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Përndryshe, për aspektin teknik të implementimit të kësaj marrëveshjeje Agjencia Kadastrale e Kosovës do të ofrojë edhe trajnime të nevojshme për zyrtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, për operim me qasje të limituar në Regjistrin e të Drejtave mbi Pronën e Paluajtshme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/