Site icon Telegrafi

Agjencia e Pasurive të Sekuestruara merr në administrim 102 kontenierët e anijes “Moliva” në Durrës

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka marrë në dorëzim 102 kontenierët, të cilët u shkarkuan ditën e sotme nga anija e ankoruar në Portin e Durrësit.

Sipas Ministrisë së Brendshme, gjithë procesi është realizuar përmes një plani të detajuar masash, edhe në zbatim të urdhërit të Prokurorisë Durrës për zbarkimin dhe ruajtjen e 102 kontenierëve të anijes “Moliva”, në një vend të sigurt, larg zonave të banuara, si edhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet e sigurisë fizike, mjedisore dhe shëndetësore.

Ministria njofton se të përfshirë në planin e masave janë një sërë institucionesh, ku përveç punonjësve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në operacion kanë marrë pjesë edhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit Durrës, Dogana Durrës, Drejtoria e Hetimit Doganor, si edhe Prokuroria e Durrësit.

Pas shkarkimit të kontenierëve nga anija, ato janë transportuar në destinacionin final, ku do të mbahen në monitorim dhe administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

“Çdo veprim është regjistruar dhe dokumentuar përmes procesverbalëve dhe kontenierët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri tek të gjithë elementët e tjerë të sigurisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Exit mobile version