Site icon Telegrafi

Agjencia e gjuhëve, në kuadër të Ministrisë për Sistem Politik?

Në Qeveri po diskutohet përpilimi i një propozim-ligji që do të mundësonte përfshirjen e Agjencisë dhe Inspektoratit për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në kompetencat e ministrisë se re, konkretisht asaj për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Zëvendës sekretari i Qeverisë, Tahir Hani, nuk e mohon se një mundësi e tillë po diskutohet, por sipas tij momentalisht nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

“Ideja ime është që Agjencia duhet të jetë një institucion qendror shumë i fuqishëm dhe i cili do të ketë kapacitet profesionale, kadrovike për t’i dalë zot gjuhës shqipe në nivel qendror”-tha Tahir Hani, zëvendës sekretar i përgjithshëm i Qeverisë.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, Ylber Sela, thotë se nuk ka një informacion të tillë. Megjithatë, Sela shton se edhe nëse merret vendim që Agjencia të jetë nën kompetencat e Ministrisë për Sistem Politik, me rëndësi është që kompetencat e saj të shtohen dhe jo të pakësohen.

“Nëse ka informacione të tilla, do të ulem dhe do të shohim se si e parashohin, domethënë që të inkuadrohemi në kuadër të Ministrisë për Sistem Politik dhe më pas do të japim deklaratë. Të them të drejtën unë nuk jam i informuar për këtë gjë. Ne po presim që Ligji për inspektoratin të shkojë në Qeveri sa më shpejt, pasi ndodhet ende në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë. Besoj që ndoshta bëhet fjalë për inspektoratin“-pohoi Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për zbatimin e ligjit të gjuhëve.

Ndërsa autoritet shprehen të rezervuar për këtë ndryshim të mundshëm, të pa rrumbullakuara mbeten shumë çështje të tjera që parashihen në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Këtu bën pjesë edhe themelimi i Inspektoratit, gjë e cila duhet të bëhet përmes një propozim-ligji të posaçëm, të cilin duhet ta përgatisë Ministria e Drejtësisë. Ky dikaster tashmë disa muaj ka formuar një grup pune për këtë qëllim, por propozim-ligji akoma nuk është dorëzuar në Qeveri. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se për atë se deri ku ka mbërritur grupi i punës për përpilimin e këtij propozim-ligji nuk mund të na informojnë momentalisht. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve hyri në fuqi më 15 janar. Institucionet duhet të fillojnë me zbatimin e të njëjtit më së voni, 6 muaj pas shpalljes së tij në Gazetën Zyrtare. Nga ky afat kanë ngelur më pak se dy muaj./alsat/

Exit mobile version