Site icon Telegrafi

Agjencia e Emergjencave: Në një fshat të Gjakovës janë evakuuar 9 familje me 80 anëtarë

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), ka njoftuar se pjesa më e rrezikuar nga vërshimet në Gjakovë ishte fshati Brekoc, i cili është vërshuar në tërësi nga rritja e nivelit të lumit Erenik.

Sipas njoftimit, me intervenimin e ekipeve të mbrojtjes dhe shpëtimit nga Komuna e Gjakovës iu është ofruar ndihmë banorëve të rrezikuar dhe janë evakuuar 9 familje me së paku 80 anëtarë.

Të njëjtit janë strehuar përkohësisht në një lokacion tjetër të sigurt.

“Viktima nuk ka pasur pos dëmeve materiale te krijuara nga vërshimi i ujit, procesi i vlerësimit është në vijim, dhe do të përfundojë me përfundimin e emergjencës”, thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu, thuhet se janë vërshuar edhe disa lagje të qytetit siç Qabrati, lokacioni i quajtur ‘Pika e zezë’ afër hotelit President, fshati Brodosan, Mejë, Rugovë e Hasit, rruga ‘Ahmet Koronica’, pjesa e bllokut të ri te Ura e Moglicës dhe disa tjera me intensitet më të vogël.

“Agjencia e Menaxhimit Emergjent me Nivelin Komunal nga vendi i ngjarjes njoftonë se situata për momentin është në kontroll, nga niveli qëndrorë AME është kërkuar mbështetje dhe ndihme në sanimin e situatës , rrjedhimisht edhe janë dërguar dy ekipe të Pompimit me kapacitet të lartë, ndërsa ekipi për kërkim shpëtim me barka në përmbytje është në gatishmëri operacionale për ndihmë zonës se rrezikuar” .

“Situata vazhdon të përcillet me prezencë dhe koordinim nga vendi i ngjarjes , përmes Qendrave Operative Emergjente 112 Pejë, Gjakovë, dhe resurset e komunave fqinje përmes Agjencisë Menaxhimit Emergjent AME janë vendos ne gjendje gatishmërie për ndihme dhe mbështetje”, përfundon njoftimi./Telegrafi/

Exit mobile version