Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se është i vendosur të kërkoj një zgjidhje kompromisi me Kosovën për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave brenda dhjetë ditëve, duke ju referuar 1 shtatorit kur qeveria e Kosovës pritet të rinisë zbatimin e masave të reciprocitetit për këtë çështje.
Vuçiqi e ka nxjerrë para gazetarëve vendimin e ish-ministrit Agim Veliu për shfuqizimin e tabelave KS që sipas Vuçiq janë të pranueshme për serbët pasi ato janë në përputhje me rezolutën 1244 dhe janë lëshuar nga UNMIK-u.
“Ata shfuqizuan tabelat KS në mënyrë të paligjshme në 2020”, ka thënë ai.
Presidenti serb tha se kishte hedhur propozimin që serbët e Kosovës të mos përfshihen në vendimin për dokumentet personale dhe të pajisën me targa që janë neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Por, pala e Kosovës tha ai, hodhi poshtë këto propozime kompromisi.
Serbia tha ai ndodhet në një situatë shumë të vështirë, por do të kërkoj me dëshpërim një kompromis.
Presidenti serb tha se Kosova kërkoi të enjten që të diskutohet për një marrëveshje të përgjithshme për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte njohjen e ndërsjellë, dëmet e luftës, trajtimin e çështjes së të zhdukurve dhe viktimave të përdhunimeve, simetri në të drejtat e serbëve me ato të shqiptarëve në Serbi si dhe rishikimin e marrëveshjeve të dakorduara më parë.
Të dielën nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm të qeverisë së Kosovë e cila të enjten tha se kishte diskutuar për dy çështje, kuadrin e përgjithshëm të marrëveshjes përfundimtare dhe për targat e dokumentet serbe.