Në Montecchio të Italisë vazhdon të jetë e hapur ekspozita e karikaturistit shqiptar Agim Sulaj. Ekspozita vjen me 20 punime.
Artisti shprehet se ekspozita ka të veçantën, pasi për herë të parë prezantohen punimet në karikatura që janë realizuar në revistën “Hosteni” në Shqipëri.
Ekspozita përmban karikatura që janë punuar në vitet 1981-85, mes tyre dhe ajo me titull “Servilizmi” e vitit 1984. 7
“Duke ju përgjigjur një kërkese dashamirëse të një shoqate artistike në Montecchio të Italisë, vendosa ta çel këtë ekspozitë vetëm me karikatura”, tregon artisti.
“Ruaj që prej viteve të hershme – kur punoja te revista e mirënjohur ‘Hosteni’ – karikaturat më të njohura të atyre viteve. Shpesh ju jam kthyer me nostalgji atyre veprave dhe kam vënë re se idetë dhe kritika shoqërore ndaj veseve e mediokritetit të atyre viteve është për ‘çudi’ dhe sot. Ndryshon vetëm ‘kostumi’i sotëm modern, por thelbi i tematikave që kam kritikuar atëherë është dhe sot. Këtë mund ta gjejmë te marrëdhëniet e pushtetit me popullin atëherë dhe sot po ai me qytetarin. Te i paafti që kërkohej e kritikohej në ato vite, tani e gjejmë në forma e veshje të reja. Ecja drejt të resë e penguar nga mendësitë e përfitimit vetjak. Brezat e rinj që priten ‘ krah hapur’ nga kolltukmëdhenjtë e përjetshëm. Kështu pra vendosa të kritikoj përsëri me të njëjtat vepra idetë e vjetruara të atyre viteve, të cilat i ndeshim dhe sot në kohët moderne”, pohon artisti Agim Sulaj.
Ekspozita që u çel më 16 dhjetor është e hapur deri më 16 janar dhe u bë mundur nga Brunella Pala, Alban Çela, si dhe ish-ambasadori i Italisë në Shqipëri, Paolo Foresti. Por, Sulaj tregon se më e plotë me veprat e tij, mund të jetë ekspozita në Tiranë. /Sot/