Telegrafi

Agim Islami, pensionisti gjilanas që merret me gjëra antike tash e 37 vjet

Në një cep të qytetit të Gjilanit gjendet një dyqan, ku brenda tij çdo objekt ka një histori për të treguar dhe çdo raft është i mbushur me copëza të së kaluarës.

Ky është dyqani i 67-vjeçarit, Agim Islami nga Gjilani, i cili rrëfeu për Telegrafin vitet përgjatë të cilave është marrë me gjëra antike.

“Unë jam Agim Islami, jetoj në Gjilan. Jam 67 vjeçar”, ka thënë ai për Telegrafin, duke theksuar se para 37 viteve ka filluar të mbledh gjëra antike.

“Para 37 viteve kam filluar të mbledh gjëra antike, ngadalë-ngadalë, sepse nuk kam pasur të bëjë me ndonjë muze, por vetëm për vete, por që nuk kam menduar asnjëherë të shes”, ka theksuar ai për Telegrafin.

Ai tregon se gjërat antike i ka marrë në vende të ndryshme, duke grumbulluar kështu një sasi të konsiderueshme të tyre.

“Unë kam marrë shumë në Prishtinë, pastaj në Shkup. Disa më sjellin, si djali që jeton jashtë ose ndonjë i njohshëm që e din se jam marakli. E kështu, ngadalë-ngadalë i kam mbledhur tash e 37 vite, por që asnjëherë nuk kam shkuar në shitje, për dallim nga tash”, ka thënë Islami.

Ai tregon se gjërat antike mirëmbahen dhe se përdor gjëra të ndryshme për t’i pastruar.

“Gjërat antike kanë nevojë, siç janë ato të bakrit. Disa prej tyre i pastrojmë me sode të bukës, me kollodont e me lloj-lloj gjëra të tjera”, ka treguar ai.

Islami thotë se nga gjërat antike janë ato të cilat kanë mbi 200 vite vjetërsi.

“Gjërat më interesante dhe më të vjetra që janë mbi 200-300 vjet, sikur monedha të vjetra, të cilat i kam në shtëpi, që e kam një muze të vogël private. Ato janë më të veçanta, por që edhe me i sjell në shitje, nuk i njohin, kështu që i lë në shtëpi”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga gjërat antike, njerëzit nuk kanë interes dhe si rrjedhojë, shiten shumë pak prej tyre.

“Nuk shkojnë shumë se nuk janë aq të njohura, përveç asaj kur mërgimtarët të vijnë ose restorantit që marrin radio ose ora të murit. Por, unë si pensioner, hupi kohë, sa të shitet, shitet”, ka thënë tutje ai.

Ai nuk është thjesht një tregtar antikitetesh, por që Islami potencon se i përcjell panairet e ndryshme që mbahen me objekte të vjetra.

“I përcjelli aty ku mundet. Në Prishtinë, po ashtu në Shkup kam qenë dy-tre herë, Shqipëri. Mirëpo, në Elbasan e kam përcjellë një muze shumë të mirë, ku disa gjëra që nuk i kam parë kurrë, gjendeshin aty, e që më ka ardhur mirë”, potencoi Islami. /Telegrafi/