Telegrafi

Agim Çeku: Pavarësia e Kosovës është e paevitueshme

"Procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës po i afrohet fundit të tij të natyrshëm. Negociatat e tanishme po afrohen tek fundi i vërtetuar, 10 dhjetorit. Kjo do të krijojë atmosferën për shpalljen e pavarësisë dhe njohje më të shpejtë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare", ka theksuar kryeministri Çeku në një tekst të publikuar në “Wall Street Journal" .

Kryeministri i Kosovës ka vlerësuar që “është e qartë që bisedimet për statusin janë në udhë pa krye", që pavarësia është “e paevitueshme” dhe se për të ”nuk mund të negociohet dhe se ajo nuk mund të shtyhet", si dhe që qëndrimet e Beogradit e Prishtinës nuk mund të ndryshohen "as për një muaj, e as për një vit”.

"Sugjerimi i modeleve të reja të pavarësisë apo bashkimit janë të kota, jorelevante, dhe të pakuptimta. Pas vuajtjes së të gjithë popujve të Kosovës gjatë viteve të 90-ta, ne kurrë nuk mund të kemi çfarëdo konfederate me Serbinë. Por, mund të kemi bashkëpunim. Dhe që të gjithë do të kemi përfitim nga kjo – Kosova, Serbia dhe Evropa", ka theksuar kryeministri Çeku dhe ka vlerësuar që mundësia më e keqe është që statusi i Kosovës të lihet çështjeve të pazgjidhura.