Telegrafi

Agim Çeku nesër intervistohet nga Specialja në Hagë

Agim Çeku

Ish-Komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, të hënën do të përgjigjet para prokurorëve të Dhomave të Specializuara në Hagë, si i dyshuar për krime lufte.

Çeku do të përgjigjet në pyetjet e prokurorëve të Speciales për periudhën e luftës dhe pasluftës dhe krimet që kanë ndodhur në atë kohë.

Shkuarjen në Hagë të Çekut e ka konfirmuar avokati i tij, Artan Qerkini.

“Po, z. Çeku e ka bërë të ditur edhe vet më 3 shtator se do të intervistohet në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit”, tha Çerkini, për Klan Kosovën.

Intervistimi pritet të mbahet në orën 9:30.

Vetë Çeku kishte konfirmuar më 3 shtator se nga Specialja ishte ftuar në cilësinë e të dyshuarit.

Çeku kishte thënë se UÇK-ja s’ka bërë asnjë krim dhe se do t’i përgjigjet drejtësisë ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Gjykata Speciale ishte themeluar për t’i hetuar pretendimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili kishte hartuar një raport me të cilin i përfshinte ish-udhëheqësit e UÇK-së në krime kundër njerëzimit deri te vrasjet politike të pasluftës.

Nga janari 2019 janë intervistuar më shumë se 200 persona, përfshirë ish-eprorë të UÇK-së, ish-deputetë, kryetarë komunash e qytetarë të thjeshtë.