Site icon Telegrafi

Agim Bahtiri tregon “planin e ndarjes së Kosovës” që pretendon se ia ka prezantuar Hashim Thaçi

Kryetari i Mitrovicës dhe zyrtari i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri thotë se Presidenti Thaçi në vitin 2008 i ka prezantuar një plan të ndarjes së Kosovës.

Bahtiri në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se është i sigurt se koalicioni LVV-LDK nuk është prishur për shkak të shkarkimit të Agim Veliut.

“Edhe në të kaluarën kanë ndodhur shkarkime ministrash të rëndësishëm por asnjëherë nuk është prishur koalicioni. Shembull, ministri i Brendshëm më i suksesshëm që ka pasur ndonjëherë Kosova, Flamur Sefaj është shkarkuar pa ndonjë arsye dhe ne [AKR] nuk e kemi prishur koalicionin”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Zyrtari i Vetëvendosjes thotë se taksa ishte në plan të largohet edhe nga qeverisja e Vetëvendosjes pasi nuk ishte e saj por sipas tij reciprociteti duhej të mbetej.

“Thaçi ma ka shpjeguar planin e ndarjes se si do të ndodhë. Kam thënë se epiqendra tërmetit të planit të Thaçit për ndarje do të jetë në Mitrovicë…Sipas zoti Thaçi ndarja do të fillojë nga Zubin Potuku te fshati Çabër. Vinarci Epërm i Ulët, Gushavci, Suhodolli, Vedimeriqi mbesin me Kosovën. Edhe fshati Boletin mbetet në pjesën e jugut”.

Bahtiri thotë se këtë plan për ndarje ia ka prezantuar vetë Thaçi në një takim të gjatë që kanë pasur së bashku edhe me persona të tjerë.

Ai thotë më tej se Thaçi i ka premtuar se do të jetë kryetar i të dyja komunave të Mitrovicës në pranim të atij plani.

Kryetari i Mitrovicës gjithnjë duke ju referuar bisedave me Presidentin Thaçi, thotë se ky i fundit i ka treguar se Trepça do të mbetet në Kosovë, ndërsa Ujmani do të menaxhohej nga ndërkombëtarët.

Bahtiri në fund është betuar në “kokën e nipërve dhe mbesave” se këto gjëra ja ka thënë me të vërtet Hashim Thaçi.

“Jam i gatshëm të përballem publikisht me të dhe të debatojmë për këto gjëra”.

Bahtiri thotë se në këmbim të kësaj Kosova do të fitonte anëtarësimin në OKB./Telegrafi/

Exit mobile version