Komuna e Mitrovicës e cila drejtohet nga kryetari Agm Bahtiri i AKR-së, e ka ndihmuar me një donacion komunën e Prishtinës, që drejtohet nga Shpend Ahmeti i VV-së.
Bëhet se ditur se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, u zhvillua një takim mes drejtorit të Shëndetësisë të komunës së Prishtinës, Arben Vitia, dhe drejtoreshës së Shëndetësisë në Mitrovicë, Vlora Haxhimehmedi.
Në këtë takim u diskutua për punët dhe sfidat që përballen këto drejtori, si dhe masat që janë marrë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në këto komuna.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, njoftoi edhe për donacionin nga bashkatdhetarët në Norvegji me pajisje të ndryshme mjekësore.
Me këtë rast, një pjesë të pajisjeve për lehtësimin e lëvizjes për personat me aftësi të kufizuar dhe personave të moshuar, komuna e drejtuar nga Agim Bahtiri i dhuroi QKMF-së së Komunës së Prishtinës, e cila drejtohet nga Shpend Ahmeti.
Zyrtarët e Komunës së Prishtinës shprehën falënderimin për këtë donacion që do të ndihmojë shumë këto kategori, si dhe do t’ia lehtësojë punën institucioneve shëndetësore të Komunës.
Të dyja palët u dakorduan për një bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave edhe në të ardhmen në kuadër të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët e këtyre komunave./Veriu.info/