Site icon Telegrafi

Agim Aliu zgjidhet kryetar i ri i Asociacionit të Komunave të Kosovës

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka mbajtur sot Kuvendin e Përgjithshëm ku ka zgjedhur bordin dhe kryetarin e ri për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Sipas një njoftimi thuhet se me shumicë votash dhe në bazë të formulës sipas komunave të fituara, kryetari i ri i Asociacionit të Komunave të Kosovës është zgjedhur Agim Aliu, aktualisht kryetar i Komunës së Ferizajt.

“Anëtarë të Bordit u zgjodhën: Imri Ahmeti – kryetar i Komunës së Lipjanit, Shaqir Totaj – kryetar i Komunës së Prizrenit, Bali Muharremaj – kryetar i Komunës së Suharekës, Xhafer Gashi – kryetar i Komunës së Obiliqit, Sokol Haliti – kryetar i Komunës së Vitisë dhe Dragan Petkoviq – kryetar i Komunës së Parteshit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu Kuvendi i Përgjithshëm i Asociacionit të Komunave të Kosovës me shumicë votash ka aprovuar raportet vjetore të vitit 2021 dhe planet për vitin 2022.

Në këtë takim të Kuvendit janë diskutuar edhe tema të lobimit në interes të qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës (raporti e gjerë nga Kuvendi do të publikohet ndërkohë). /Telegrafi/

Exit mobile version