Site icon Telegrafi

Agim Ademi përfaqëson Kosovën në kongresin e FIFA-s dhe në ceremoninë e hapjes së Kampionatit të Botës

Gjatë javës së kaluar ka ndërruar jetë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrrit.

Legjenda e futbollit kosovar ndërroi jetë të shtunën pas një sulmi në zemër, kurse të dielën u varros me nderime shtetërore, me pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve në ceremoninë mortore.

Kjo ka bërë që të ndryshojë edhe agjenda e udhëtimit të delegacionit kosovar për në shtetin rus, ku do të mbahet Kupa e Botës.

Lexo po ashtu Aksione, gola dhe trofe: Televizioni i Partizanit sjell filmin dokumentar rreth Fadil Vokrrit

FFK-ja ka njoftuar përmes ueb-faqes zyrtare se Kosovën në kongresin e ri të FIFA-s dhe në ceremoninë e hapjes së botërorit, do ta përfaqësojë Agim Ademi.

“Sot nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, ndonëse jo me dëshirë e vullnet për shkak të humbjes së presidentit Fadil Vokrri, ishte detyruar të udhëtojë për në Moskë në kongresin e 68-të të FIFA-s dhe hapjen e kampionatin botëror Rusia 2018”, njofton FFK-ja.

Lexo po ashtu Lamtumirë futbollisti më i madh shqiptar në histori, lamtumirë kryetari legjendar i FFK-së - Veprat e tua nuk do të harrohen asnjëherë Fadil Vokrri

Theksojmë se qindra telegrame ngushëllimi ka marrë FFK-ja me rastin e vdekjes së të parit të këtij institucioni duke përfshirë edhe ardhjen në ceremoninë e varrimit të nënkryetarit të FIFA-s, Zvonimir Bobanit.

Ndryshe, Kupa e Botës do të startojë më 14 qershor (e enjte), ku në takimin e parë do të takohen Rusia dhe Arabia Saudite. /Telegrafi/

Exit mobile version