Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, nuk është lajmëruar në vuajtje të dënimit, ashtu siç ishte urdhëruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Kjo pasi që i njëjti përsëri ka kërkuar nga shkalla e parë shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, e cila kërkesë iu refuzua dhe tashmë rasti ka shkuar me ankesë në shkallë të dytë.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se i dënuari A.A. nuk është lajmëruar në vuajtje të dënimit me burg, pasi që i njëjti me datë 12.06.2020 ka bërë kërkesë për shtyrje dhe me datë 15.06.2020 Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr aktvendim dhe e ka refuzuar kërkesën si të pa bazuar”, ka thënë Gashi.
Ajo tha se kundër këtij vendimi, Ademi ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
“Kundër këtij aktvendimi i dënuari A.A. ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me datë 17.06.2020 dhe lënda aktualisht gjendet në Gjykatën e Apelit të Kosovës.”, ka bërë të ditur Gashi, për “Betimi për Drejtësi”.
Pezullimi i ekzekutimit të dënimit për shkak të lutjes për shtyrjen e ekzekutimit është i paraparë edhe me nenin 25 të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, ku thuhet se:
“Lutja për shtyrjen e ekzekutimit e pezullon ekzekutimin e dënimit me burgim, derisa të merret vendimi i formës së prerë lidhur me lutjen”.
Ndryshe, në fillim të qershorit Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhëresë për shkuarje në vuajte të dënimit për kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
Sipas kësaj urdhërese, Ademi obligohej që të paraqitet më 18 qershor 2020, në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Në rast se Ademi nuk do të paraqitej vullnetarisht, atëherë sipas urdhëresës, gjykata do të lëshonte urdhërese për ndalim, arrestim dhe dërgimin me forcë në Shërbimin Korrektues përkatësisht në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Deri te lëshimi i kësaj urdhërese kishte ardhur pasi që në muajin shkurt 2020, Gjykata e Apelit ia kishte vërtetuar dënimin prej nëntë muajsh burg efektiv, që gjykata e shkallës së parë më 5 korrik 2019, ia kishte shqiptuar kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.
Gjithashtu, dënimin me burg me efektiv prej një viti, gjykata e shkallës së dytë ia kishte vërtetuar edhe të akuzuarit tjetër, Muharrem Rama.Të dy këta ishin shpallur fajtor për veprën penale “Detyrim në tentativë” , raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë dhe Apelit, mbrojtja e Ademit dhe Ramës i ishte drejtuar Gjykatës Supreme, me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.Mirëpo, sipas një përgjigje të Gjykatës Supreme për “Betimi për Drejtësi”, kjo lëndë ende nuk është përfunduar.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftoj se lënda ne fjale, është pranuar ne Gjykate Supreme me date 23 prill 2020, është ndare ne pune, por ende nuk është vendosur.” – thuhet në përgjigjen e zyrtares për informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.
Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”. /BetimipërDrejtësi