Site icon Telegrafi

Agim Ademi mohon sulmin ndaj Artan Govorit: Tjetër e pavërtetë, inskenim dhe shantazh për imazhin tim dhe të FFK-së

Agim Ademi, kandidat i vetëm për kreun e FFK-së

Kryetari i aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka mohuar zërat për një sulm ndaj punëtorit të FFK-së, Artan Govori.

Gjatë ditës së sotme u raportua se në objektet e FFK-së ka ndodhur një ekses, ku Ademi kishte sulmuar fizikisht Govorim, drejtorin për marrëdhënie me jashtë.

Megjithatë, nuk ka vonuar shumë dhe Agim Ademi e ka mohuar këtë lajm, duke thënë se është i pavërtetë dhe një vazhdim i shantazhit nga “ata që kanë qëllim ta dëmtojnë imazhin e tij dhe të FFK-së”.

Ademi ka shtuar gjithashtu se me Govorin pati vetëm debat për punët e FFK-së.

Lexo po ashtu Rrahje në FFK, Agim Ademi dyshohet se sulmoi punëtorin e Federatës

Postimi pa ndërhyrje i Agim Ademit

Miq të dashur,

Sot mediat raportuan me nguti dhe me tituj bombastik për kinse një ekses në FFK. Aty raportohet se, unë, si president i FFK-së, kinse e paskam sulmuar fizikisht drejtorin për marrëdhënie me jashtë, Artan Govorin.

Por, kjo është një tjetër e pavërtetë dhe një tjetër inskenim i atyre që po bëjnë në vazhdimësi shantazhe e gjëra të tilla me qëllim të dëmtimit të imazhit tim dhe njëkohësisht të Federatës, por edhe të procesit zgjedhor në FFK.

Nuk është aspak e vërtetë ajo që po aludohet për ekses dhe për asnjë prekje fizike, thjesht ishte një debat për punët e përditshme në federatë. Për këtë ka dëshmitarë brenda federatës.

Të gjitha palët që dëshirojnë të përfitojnë nga inskenimet e tilla, ua bëj me dije se vullneti i 44 delegatëve të Kuvendit të FFK-së nuk mund të ndryshojë me presione e shantazhe dhe as me shpifje të tilla nga njerëz e grupe të interesit.

Unë do të vazhdoj punën time me ndershmëri dhe nuk do të lejoj të bie pre e shantazhuesve që për qëllim kanë kapjen e FFK-së.

/Telegrafi/

Exit mobile version