Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është rrëfyer për zhvillimet e fundit në futbollin kosovar në këtë periudhë pandemie me coronavirus.
I pari i futbollit kosovar ka qenë tejet i kritikuar, sidomos nga disa prej klubeve elitare, për shkak të mbështetjes jo edhe aq të madhe ndaj klubeve në këtë periudhë me pandeminë COVID-19.
Ndërkaq, Ademi në një prononcim televiziv në RTK, ka thënë se situata aktuale është e vështirë, shkaku i coronavirusit.
“Është e nevojshme, sidomos unë e di pasi vijë nga një klub. Është një situatë e vështirë, jo vetëm në futboll, por edhe në biznes”, u shpreh fillimisht Agim Ademi.
“Ne kemi marrë masa dhe kemi mbledhur mjete tonat që i kemi pasur, dhe ua kemi grumbulluar një shumë unike për të gjitha klubet, e më pas edhe fondin tjetër për futbollistët dhe punëtorët sportiv”, tregon më tej i pari i futbollit kosovar.
“Ne jemi një vend i varfër dhe kemi nevojë për ndihma, të presim edhe mbështetjen e premtuar nga MKRS-ja”, shtoi ai.
Tutje, ai ka folur edhe për rikthimin e mundshëm të futbollit kosovar.
“Kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ende nuk e dimë. Por, që luten të gjitha klubet të mos nisin stërvitjet ende pa u dhënë lejet”, theksoi Ademi.
“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe që të dezinfektojmë edhe hapësirat e punës nëpër klube”, përfundoi ai.