Site icon Telegrafi

Agim Ademi flet pas finales së Superkupës: Do të kemi edhe ndeshje tjera jashtë Kosovës

Prishtina ka arritur ta fitoj Superkupën e Kosovës pasi triumfoi ndaj Dritës.

Rezultati përfundimtar i takimit ishte 3-1 në favor të kryeqytetaseve me takimin që ishte shumë i zjarrtë dhe emocionues.

I pranishëm në këtë takim që më pas dorëzoi edhe trofeun tek skuadra fituese ishte dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.

Ai dha një deklaratë të fuqishme pas ndeshjes për Klan Kosovën, ku përmendi edhe marrëdhëniet me Federatën Turke.

“Ishte një lojë shumë e mirë, jam shumë i lumtur që nuk pati asnjë lëndim. Uroj Prishtinën për fitoren, të dyja këto skuadra janë klube të forta nga Kosova dhe favorite në garat ku marrin pjesë”.

“Siç e tha edhe Presidenti i Federatës Turke Ozdemir, FFK zë një vend të veçantë tek ta, normalisht na kanë ndihmuar dhe kanë lejuar e realizuar të gjitha kërkesat tona për këtë takim. I falenderoj për gjithçka pasi kemi bërë edhe një referendum të cilin do e publikojmë më vonë”, tha Ademi.

I pari i FFK-së tha se nëse skuadrat bëjnë kërkesë që të zhvillojnë ndonjë ndeshje jashtë vendit, atëherë FFK do të mundohet që t’ia plotësojë atë.

“Do të kisha dashur që çdo kupë dhe festë ta festojmë me tifozët tanë në Kosovë, nuk mund të themi se do bëhet traditë, por sa herë që skuadrat kërkojnë ta zhvillojnë ndeshjen jashtë vendit, ne do të mundohemi t’ia pranojmë kërkesën”.

“Niveli do jetë edhe më i lartë si taktik edhe fizik, dhe besoj që sezoni pranveror do të ketë nivel akoma më të lartë. Shpresoj që skuadrat mos të kenë lëndime, ne përgatitjet i kemi bërë”, përfundoi i pari i futbollit kosovar. /Telegrafi/

Exit mobile version