Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për Telegrafin në lidhje me shitjen e biletave për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës.
Përfaqësuesja e Kosovës po zhvillon ndeshje të mëdha që nga emërimi i Bernard Challandes si trajner.
Forma e lartë e fitoreve dhe loja e mirë kanë bërë që tifozët të kenë shumë kërkesa dhe interesim për ta shikuar nga afër Kosovën.
Megjithatë, shitja e biletave po bëhet në mënyrë shumë të shpejt dhe shumë tifozë nuk po kanë mundësi t’i shikojnë Dardanët.
Në një prononcim për Telegrafin, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka folur për këtë dukuri dhe ka treguar që nga ndeshja me Anglinë do të ketë ndryshime në blerjen e biletave.
“Në ndeshjen ndaj Anglisë, një person mund t’i blej vetëm dy bileta dhe jo tri si më parë. Arsyeja është që duam t’ia japim mundësinë sa më shumë tifozëve që ta shohin Kosovën”, ka thënë fillimisht Ademi për Telegrafin.
Në pyetjen tjetër të bërë nga Telegrafi se cili është komenti i juaj për fillimin e mbledhjes së informacioneve në terren nga Prokuroria për shitjen e biletave, Ademi tha se është i hapur për t’i ndihmuar me çdo gjë që është në dorën e federatës.
“Federata është e hapur për çfarëdo lloj ndihme që mund t’i jap prokurorisë në lidhje me dyshimet rreth shitjes së biletave”.
“Ata i kanë numrat tonë të federatës dhe mund të na kontaktojnë për çfarëdo informate”, përfundoi kryetari i FFK-së, duke dënuar kështu çdo shitje të biletave në tregun e zi. /Telegrafi/