Telegrafi

Aggeler: Qytetarët duhet t’u bëjnë me dije politikanëve se duan të jenë në BE

Ambasadorja amerikane Angela Aggeler, gjatë vizitës së saj në vendkalimin kufitarë Bogorodicë, së bashku me ministrin Oliver Spasovski, theksoi se bashkëpunimi me MPB-në dhe Qeverinë ka rezultate pozitive për qytetarët, përcjell Telegrafi Maqedoni.

E pyetur për qëndrimin e saj në lidhje me ndryshimet kushtetuese, Aggeler theksoi se ajo nuk mund të fletë për këtë, por qytetarët duhet t’u bëjnë të ditur politikanëve se duan të jenë pjesë e BE-së.

“Vërtet mendoj se nuk më takon mua të flas se si po shkon procesi i ndryshimeve kushtetuese. Unë jam ambasadore e Shteteve të Bashkuara. Ne nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian, por kur shoh kufirin dhe numrin e madh të automjeteve që hyjnë e dalin, besoj se prosperiteti dhe siguria e këtij vendi qëndron në pranimin dhe integrimin e tij në Evropë dhe shpresoj shumë që politikanët nga të gjitha partitë politike në vend do të punojnë për realizimin e saj.

Kufiri me Greqinë na kujton vendimet e vështira që ka marrë tashmë ky vend dhe e di që është edhe e vështirë, por inkurajoj qytetarët që t’u bëjnë të ditur politikanëve të tyre se duan të jenë pjesë e BE-së”, tha Aggeler./Telegrafi/