Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Angela Price Aggeler duke komentuar mbi zhvillimet në Këshillin Gjyqësor dhe veprimet e këtij organi në raport me presionet politike ndaj Gjykatës e Lartë ka potencuar se këshilli nuk ka arritur t’i përmbush plotësisht detyrimet e parapara ligjore dhe se kjo nuk është drejtësia që e presin njerëzit e këtij vendi.
Aggeler për “Alsat” duke folur për vjetërsimin e rastit “TNT” tha se pret nga Gjykata e Apelit të jetë në krye të përmbushjes së detyrimeve ligjore.
“Është mandat i këshillit të sigurojë funksionimin e duhur dhe transparent të gjyqësorit në këtë vend. Më vjen keq të them se kemi parë pak prova të përmbushjes së këtyre detyrimeve të shenjta.
Njerëzit e këtij vendi meritojnë më mirë. Ende nuk e kam parë vendimin e Gjykatës së Apelit për shfuqizimin e akuzave për rastin “TNT”, por do ta shqyrtojmë nga afër me shpresën që vendimi të jetë transparent dhe në përputhje me ligjin” tha Aggeler.