Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka realizuar takim kokë më kokë me ambasadoren e SHBA-së në vend, Angela Prajs Ageler, pas së cilës ka vijuar një takim pune me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese Osman Kadriu, Naser Ajdari, Dobrilla Kacarska, Tatjana Vasiq Bozaxhieva, Jadranka Daboviq, Ana Pavllovska Daneva.
Kostadinovski e informoi Agelerin për prioritetet e mandatit të tij, si dhe për sfidat e brendshme dhe të jashtme me të cilat është ballafaquar Gjykata Kushtetuese në punën e saj në periudhën e kaluar.
Siç njoftojnë nga Gjykata Kushtetuese, Kostadinovski ka theksuar se ka progres në transparencë dhe si shembull ka treguar se janë duke u përgatitur për regjistrim të plotë dhe transmetim të drejtpërdrejtë të seancës përgatitore për Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
“Gjykata në këtë cilësi, përmes aktiviteteve të ndërmarra për vendosmëri më të madhe dhe veprim pa kompromis, të plotësuar me transparencë dhe aktivizëm gjyqësor, po punon intensivisht për rikthimin e besimit në shtetin e së drejtës dhe rritjen e besimit të qytetarëve në Gjykatën Kushtetuese. Veçanërisht do të theksoj progresin në fushën e transparencës dhe, si shembull, do të jap faktin se po përgatitemi për regjistrim të plotë dhe transmetim të drejtpërdrejtë të seancës përgatitore për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që është një temë jashtëzakonisht e ndjeshme dhe për të cilën do t’u mundësojmë qytetarëve të shohin dhe dëgjojnë me sytë e tyre se vendimet në Gjykatë janë marrë objektivisht dhe pa asnjë ndikim”, ka theksuar Kostadinovska në takimin e punës që është mbajtur dje në hapësirat e Gjykatës Kushtetuese.
Ai informoi se Gjykata do të mbetet e palëkundur dhe “pavarësisht të gjitha përpjekjeve për politizimin dhe etnizimin e punës dhe veprimeve, do të qëndrojë me vendosmëri pas mbrojtjes së Kushtetutës dhe lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit”.
Ambasadorj Ageler, thuhet në komunikatë, e ka shprehur mbështetjen e SHBA-së për rikthimin e besimit në sundimin e ligjit përmes procedurave transparente dhe vendimmarrjes ekskluzivisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
“Ambasadori Ageler i ka inkurajuar gjyqtarët që t’i rezistojnë çdo ndikimi dhe presioni në veprimet e tyre dhe kur hyjnë në seancë, të lënë mënjanë të gjitha rolet e tjera dhe mbi të gjitha të jenë gjyqtarë kushtetues, njoftoi Gjykata Kushtetuese.
Gjyqtarët mirëpritën mbështetjen shumëvjeçare të SHBA-së për sundimin e ligjit. Gjyqtarja prof. dr. Pavllovska-Daneva tha se nevojitet mbështetje nga të gjithë faktorët për të mundësuar regjistrimin e seancave në të cilat gjyqtarët diskutojnë dhe ndërtojnë lëndë.
“Për ne është veçanërisht e rëndësishme që ju të shprehni publikisht mbështetjen tuaj për procedura transparente, që ne të jemi të vetëdijshëm se në shumë vende nuk është rasti i tillë i zhvillimit të procedurës me transmetim drejtpëdrejt, por të mos harrojmë se atje kanë një kulturë krejtësisht të ndryshme kushtetuese”, ka deklaruar gjyqtarja Pavllovska-Daneva.
Mbështetjen shumëvjeçare për sundimin e ligjit nga ana e Ambasadës Amerikane në vend e përshëndeti edhe gjyqtari Osman Kadriu.