Site icon Telegrafi

Agani: Riciklimi i mbeturinave, përmirëson mjedisin

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, mori pjesë në konferencën “Partneriteti Publiko-Privat në Sektorin e Mbeturinave të Riciklueshme dhe Zhvillimi Lokal”, që u mbajtë në qytetin e Vushtrrisë.

Kjo konferencë u organizua në kuadër të projektit “Qendra për grumbullimin dhe paketimin e mbeturinave të riciklueshme në Vushtrri”, të financuar nga Bashkimi Evropian Zyra në Kosovë, si dhe të implementuar nga Komuna e Vushtrrisë dhe ‘Prishtina REA’.

Motoja e këtij projekti është “Selekto mbeturina – një vend pune më shumë”.

Ministri Agani tha se projekte të tilla ndikojnë dukshëm në përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në vend, por njëkohësisht ka edhe impakt në zhvillimin ekonomik. Andaj, pohoi se ministria që ai drejton do të përkrahë iniciativa të tilla.

“Ky projekt do të paraqes një alternativë shumë të qartë dhe një moment inovativ të qasjes ndaj menaxhimit të mbeturinave të riciklueshme në dy dimensione, në atë të grumbullimit dhe paketimit, duke e ndërlidhë komponenten e mbrojtjes së mjedisit nga niveli i familjes dhe njëkohësisht duke e zvogëluar prodhimin e mbeturinave”, tha ministri Agani.

Gjatë muajve maj – korrik, 2015, Prishtina REA ka bërë një studim analitik përmes metodës së kombinuar kuantitative dhe kualitative lidhur me kornizën ligjore për menaxhimin e mbeturinave në Kosovë, situatën aktuale të menaxhimit të mbeturinave të riciklueshme në Vushtrri e regjion, operimin e KRM në Mitrovicë me tri njësitë e sajë në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri, kompanitë private, bizneset dhe grumbulluesit joformal.

Çështja e menaxhimit të mbeturinave të riciklueshme është e rëndësishme edhe për Komunën e Vushtrrisë, andaj, kryetari Bajram Mulaku, tha se do të angazhohen në maksimum që ky projekt të implementohet në tërësi, në mënyrë që të shërbejë si një pilot-projekt edhe për komunat tjera.

Ndryshe, qendra për grumbullimin dhe paketimin e mbeturinave të riciklueshme në Vushtrri, është në finalizim e sipër të objektit të saj, dhe pajisjes me makineri dhe mekanizimin e planifikuar për grumbullim, sortim e paketim, sikurse edhe instalimin e 100 kantonjerëve. /Telegrafi/

Exit mobile version