Site icon Telegrafi

Agani: Planifikimi hapësinor kërkon qasje gjithëpërfshirëse

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, Ferid Agani, ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët lidhur me instrumentin e planifikimit hapësinor të zonimit, rolet e nivelit qendror dhe lokal dhe planifikimin e bazuar në fakte.

Ministri Agani pohoi se MMPH-ja ka nisur një sërë reformash të cilat bazohen në ligjin e planifikimit hapësinor të Kosovës, e që kanë për qëllim arritjen e një standardi të ri të komunikimit me qytetarë dhe investitorë të huaj.

“Po e reformojmë njëfarë mënyre tërë procesin e planifikimit hapësinor duke e inkuadruar publikun si vendimmarrës së bashku me autoritetet përgjegjëse komunale dhe qendrore për planifikim hapësinor, në hartimin e dokumenteve, në mënyrë që të kemi një parashikushmëri shumë më të madhe në procesin e punës në këtë fushë, me theks të veçantë në procesin e planifikimit të ndërtimeve dhe investimeve të jashtme”, ka pohuar Agani.

Nga pjesëmarrësit u konkludua se është koha e fundit për të u angazhuar të gjithë aktorët e kësaj fushe për sanimin e gjendjes së krijuar deri më tani në hapësirën e Republikës sonë dhe njëkohësisht të fillojmë të mendojmë me një vizion të ri për adresimin e kësaj çështjeje, në funksion të rritjes së cilësisë së jetesës së qytetarëve.

Kjo tryezë u mbajt në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e Ditës Botërore të Planifikimit të Qyteteve, e ku morën pjesë edhe përfaqësues të komunave; përfaqësues të universiteteve; profesionistë të fushës; ekspertë dhe kompani që merren me planifikim dhe menaxhim urban; donatorë, OJQ-të, përfaqësues të USAID-it etj. /Telegrafi/

Exit mobile version