Site icon Telegrafi

Agani: Mbeturinat t’i ofrohen në dispozicion investitorëve

Në ambientet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me ftesë të ministrit Ferid Agani, u mbajt takimi i radhës me përfaqësues të institucioneve dhe kompanive që merren me menaxhimin e mbeturinave në Kosovë.

Në këtë takim u diskutua për zgjidhjen e problemeve në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, dhe mundësia e investimeve në riciklim dhe trajtim të duhur të të gjitha llojeve të mbeturinave në Kosovë.

Ministri i MMPH-së, Ferid Agani, me këtë rast tha se mbeturinat nuk po shfrytëzohen për përfitime të vendit, por janë bërë barrë e shpenzimeve të buxhetit.

Prandaj shtoi se ka ardhur koha që ky sektor të futet në partneritetin publiko privat (PPP), ngase mbeturinat janë aset i shtetit të cilat duhet të ofrohen në dispozicion të investitoreve, ku me këtë proces do të kemi rritje ekonomike, hapje të vendeve të reja të punës dhe përmirësim të gjendjes së mjedisit në Kosovë.

Të pranishmit falënderuan ministrin Agani për angazhimin e tij që sektori i mbeturinave në vend, të përmirësohet dhe të vihet në binarët e duhur.

Edhe pjesëmarrësit në këtë takim u pajtuan se vetmja mënyrë për të tejkaluar situatën e rëndë të deponive të mbeturinave është që ky sektor të futet në partneritetin publiko privat.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i MMPH-së, Ferat Shala, ai i MTI-së, Avni Kastrati, kryeshafi i Kompanisë për menaxhimin e deponive në Kosovë, Abdullah Hoxha, si dhe përfaqësues të tjerë të deponive. /Telegrafi/

Exit mobile version