Site icon Telegrafi

Agani: Implementimi i Strategjisë për Ndryshimet Klimatike, sfidë për institucionet

Kosova ende nuk është palë e Konventës Kornizë për Ndryshimin Klimatik (UNFCCC), megjithëkëtë Kosova është shtet në zhvillim dhe vend me perspektiv për anëtarësim në BE. Kështu tha ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, gjatë konferencës së organizuar nga konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), me temën “24 Hours of Reality; The World is Watching”.

Ministri Ferid Agani tha se në kuadër të këtij anagazhimi Kosova përmes MMPH-së, ka bërë një sërë veprimesh për të përmbushur nevojën për monitorimin e ndryshimeve klimatike, adaptimin ndaj tyre dhe zbutjen e ndikimeve që vijnë nga këto ndryshime.

Ai tha se në kuadër të legjislacionit nacional për ndryshime klimatike, aspektet që ndërlidhen me këto ndryshime janë përfshirë në legjislacionin mjedisor përkatës duke përfshirë Ligjin e Mjedisit, Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, Ligjin e ujërave dhe ligjet tjera relevante.

Po ashtu në kuadër të luftës për ndryshimet klimatike, ministri Agani tha se është miratuar strategjia për ndryshimet klimatike 2014-2024, e cila është në përputhje me kornizën e pritshme të politikave të BE-së për klimën dhe energjinë.

Sipas tij, kjo strategji është e bazuar në konceptin e zhvillimeve me emetim të ulët të karbonit dhe përshtatjes ndaj tyre.

Megjithatë, ministri Agani potencon se implementimi i kësaj strategjie mbetet sfidë për institucionet e Republikës së Kosovës, por që janë duke punuar në hartimin e një plani të veprimit në koordinimin me institucionet relevante.

Kjo konferencë mblodhi për diskutim autoritetet qeveritare, organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin e biznesit, të cilët dhanë kontributin dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me atë se ku qëndron Kosova drejt përmbushjes së objektivave për zbutje dhe adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike. /Telegrafi/

Exit mobile version