Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, së bashku me përfaqësues dhe vullnetarë të iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”, ka marrë pjesë në hapje të aksionit, në lagjen Kalabria në kryeqytet.
Në hapje të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, së bashku me pjesëtarë të FSK-së, përfaqësues të AMMK-së, nxënës të shkollave fillore të Prishtinës, si dhe vullnetarë e qytetarët të tjerë, ministri Agani deklaroi se mjedisi është pasqyra jonë, prandaj bëri thirrje që t’i kushtohet vëmendje ruajtjes së tij.
“Kjo sot që po e shohim është një dëshmi e fuqisë së qytetarisë së Kosovës, që tregon se edhe ne jemi pjesë e Evropës, duke treguar një përkushtim të madh për mjedisin dhe kjo më bënë shumë optimist që në ditët e ardhshme do ta kemi shtetin tonë ashtu siç jemi vetë”, u shpreh kreu i MMPH-së.
Ministri Agani, ftoi të gjitha institucionet që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e mjedisit që të angazhohen maksimalisht që në të ardhmen deponi të tilla të mos ketë më.
Ai shtoi se MMPH-ja është e përkushtuar që të gjejë zgjidhje të duhur për eliminimin e deponive ilegale dhe për këtë kërkoi ndihmën edhe të komunave.
Koordinatori i Iniciativës“Ta pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, tha se vetëm gjatë ditës së sotme kanë paraparë mënjanimin e mbi 150 deponive ilegale në mbarë vendin.
Në këtë aksion ishte e pranishme edhe ish presidentja Atifete Jahjaga, e cila bëri thirrje për një kujdesje më të madhe për mjedisin.
Ministri Agani, do të merr pjesë edhe në aksionin që do të zhvillohet në fshatin Plemetin, bashkë me përfaqësuesin e BE-së, Samuel Zhbogarin. /Telegrafi/
Foto: Ilustrim