Site icon Telegrafi

MOST: Afrohen zgjedhjet, shtohen edhe presionet ndaj administratës (Video)

Me afrimin e datës së zgjedhjeve, janë rritur edhe presionet e pushtetit mbi të punësuarit në ndërmarrjet dhe administratën publike. Raportin e OJQ MOST sipas të cilit në mënyrë të paligjshme po ndikohet mbi votuesit, e dëgjuan edhe ambasadorët në vend, njofton Alsat M.

Në 15 nga 80 komuna ka pasur presion mbi të punësuarit në arsim, por edhe tek ata që punojnë në ndërmarrjet publike. Ata u janë kërcënuar se do të transferohen me punë në një komunë tjetër, ose në pozitë më të ulët, se do të ballafaqohen me masë disiplinuese ose shkarkim.

Presione dhe kërcënime ka pasur edhe mbi persona të cilët janë ose do të duhet të punësohen në institucionet publike, ose tek ata punëtorë tek të cilët është dashur t’u transformohet marrëdhënia e punës. Presione janë vërejtur edhe tek të punësuarit në sektorin privat.

Nga MOST kanë vërejtur se funksionarët shtetërorë nuk e respektojnë parimin e ndarjes së shtetit dhe partisë, kështu që në manifestime ku janë paraqitur i kanë promovuar programet partiake. Nga MOST thonë se KSHZ-ja nuk u ka lejuar kontroll dhe monitorim të plotë të kontrollit në teren të sistemit zgjedhor.

“Çështja e listës së votuesve dhe pastrimi i saj është e rëndësisë së veçantë prandaj edhe ngriti një numër të madh pyetjesh dhe dilemash se si funksionin sistemi institucional, se si komunikojnë institucionet mes vete dhe si i mbajnë të dhënat e qytetarëve. Prandaj i bëjmë thirrje KSHZ-së të prononcohet për të gjitha sfidat me të cilat u ballafaqua gjatë këtij procesi të rëndësishëm dhe jo vetëm kontrollit në teren, dhe publikun ta njoftojë qartë dhe pa hamendje nëse mund të garantojnë realizim të zgjedhjeve të besueshme”, deklaroi Darko Aleksov , MOST.

Pikërisht para publikimit të këtij raporti në MOST ishin prezent inspektorë të policisë financiare. Aleksov thotë se bisedimet me inspektorët kanë qenë korrekte dhe konstruktive. Ata të punësuarve në organizatë u kanë dhënë afat disa ditorë që ta përgatisin dokumentacionin. Nga policia financiare përmes një njoftimi thonë se përskaj sjelljes korrekte të inspektorëve, kryetari i MOST ka thënë se nuk është në gjendje tua dorëzojë në kontroll dokumentet e kërkuara.

“Sinqerisht si polici financiare jemi të habitur me këtë qasje të organizatës jo qeveritare dhe ende është e pa qartë përse nuk na mundësohet kontroll i dokumentacionit për transferim të qindra mijëra eurove dhe dollarëve në llogari të dyshimta në shtetet e Lindjes së afërt” , thuhet në njoftimin e policisë financiare.

Nga ky institucion njoftuan se nëse në afat të shkurtër nuk u mundësohet inspektorëve qasje në dokumentacionin e organizatës, do të detyrohen të zbatojnë instrumente që i parasheh ligji për vepra penale. /Telegrafi/

Exit mobile version