Telegrafi

Afro 600 punonjës shëndetësorë në SHBA kanë vdekur nga coronavirusi, shumica ishin njerëz me ngjyrë

Sëmundja e coronavirusit ua ka marrë jetën afro 600 punonjësve shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa shumica prej tyre janë njerëz me ngjyrë, ka gjetur një hulumtim i bërë nga Guardian dhe Kaiser Health.

Numri përbëhet nga mjekët, infermierët dhe ndihmësit shëndetësorë, por gjithashtu përfshin edhe pjesëtarë tjerë të stafit të kujdesit shëndetësor siç janë portierët e spitalit, administratorët dhe punëtorët e shtëpive të infermierisë, transmeton Telegrafi.

Projekti i quajtur “Të Humbur në Vijën e Parë” synon që të “numërojë, verifikojë dhe përkujtojë”, çdo punonjës të kujdesit shëndetësor që vdiq në Shtetet e Bashkuara gjatë pandemisë.

Ky projekt përbëhet nga një bazë e gjerë e të dhënave, ndërvepruese dhe të përditësuara, që do të gjurmojë faktorët përfshirë racën dhe përkatësinë etnike, moshën, profesionin, vendndodhjen dhe nëse punëtorët kishin qasje në pajisjet mbrojtëse personale apo jo.

Nga numrat e regjistruara deri më tani, Guardian dhe KHN zbuluan se njerëzit me ngjyrë përbënin shumicën e punonjësve të kujdesit shëndetësor që kanë vdekur nga coronavirusi. Shumica e tyre janë ose afrikano-amerikan, ose aziatikë – banorë të Ishujve Paqësor.

Informacionet rreth punonjësve të kujdesit shëndetësor, janë mbledhur nga një varg burimesh, përfshirë raportet në media, familjet dhe miqtë, sindikatat dhe kolegët e viktimave.

Baza e plotë e të dhënave do të publikohet këtë verë, duke ofruar pasqyrë në punën – dhe dështimet – e sistemit të kujdesit shëndetësor amerikan gjatë shpërthimit të coronavirusit. /Telegrafi/