Telegrafi

Afro 6 mijë euro borxh kanë Alternativa dhe KTAP ndaj PZAP-së, partitë e tjerat i kanë paguar

Foto: Ilustrim

Të gjitha partitë politike paraqiten gatishmëri për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, në momentin kur Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Ndonëse ende nuk është caktuar data zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve, gjë që pritet të ndodh pas shpërndarjes së Kuvendit më 22 gusht,  partitë politike kanë nisur aktivitetet e tyre në terren, në mënyrë që në ditën e zgjedhjeve të grumbullojnë sa më shumë vota.

Por, për tu certifikuar nga KQZ, partitë politike fillimisht duhet që t’i shlyejnë të gjitha borxhet që kanë ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Lexo po ashtu Fushata e “heshtur” e partive politike

Subjektet më të mëdha politike si LDK, PDK dhe VV tashmë kanë shlyer të gjitha borxhet që kanë pasur ndaj PZAP-së, mirëpo ka parti që ende kanë borxh.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku. Desku ka treguar se partia e Alternativa dhe KTAP ende nuk kanë shlyer borxhin ndaj PZAP-së.

“Për zgjedhjet lokale 2017, subjekti politik Alternativa ka edhe një pjesë të borxhit pa paguar, shuma e të cilit është 3 mijë e 700 euro. Ndërkaq subjekti KTAP ka komplet borxhin të pa paguar që është 2 mijë e 200 euro”, ka thënë Desku.

Ai ka shtuar se në tërësi shuma e borxhit që ende nuk është paguar është 5 mijë e 900 euro.

Desku tutje ka theksuar se subjektet tjera i kanë paguar borxhet për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitit 2017.

Lidhur me borxhin ndaj PZAP-së që ka partia Alternativa, themeluesja e kësaj partie Mimoza Kusari- Lila ka thënë për Telegrafin se do ta shlyejnë të gjithë borxhin në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Po borxhi ka qenë më i madh nga zgjedhjet, por e kemi programuar dhe paguar me këste. Do të vazhdojmë pagesën dhe fshirjen e borxhit në mënyrë që të marrim pjesë në zgjedhje”, ka thënë Kusari-Lila.

Subjektet politike të cilat janë gjobitur nga PZAP-i dhe nuk i paguajnë gjobat, nuk do të mund të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Në zgjedhjet e fundit lokale partitë politike janë gjobitur me mbi 257 mijë euro, ndërsa në ato nacionale me mbi 348 mijë euro. /Telegrafi/