Site icon Telegrafi

Afrimi i mjerë dhe i rrezikshëm i Putinit me Kimin

Vladivostok, prill 2019: Kim Jong-uni dhe Vladimir Putini, gjatë takimit të tyre të fundit (foto: AP)

Nga: Sergey Radchenko / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Raportimet se diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, së shpejti mund ta vizitojë Rusinë për ta takuar Vladimir Putinin – ndoshta për të diskutuar për furnizimin e armëve të Koresë së Veriut për luftën e Putinit në Ukrainë – flasin për një transformim goxha të madh të marrëdhënieve ruso-koreane. Gjatë Luftës së Ftohtë, Koreja e Veriut ishte aleati kryesor i Moskës në Azinë verilindore. Por, në atë kohë, koreano-veriorët ishin, në rastin më të mirë, përgjëruesit e varfër të një superfuqie të fuqishme. Sot, mbretëria vetmitare e Kimit po qëndron ballëlart dhe krenare si partnere e Rusisë në krim.

Angazhimet e Putinit me Korenë e Veriut, janë të vjetra sa edhe presidenca e tij. Por, në përgjithësi, marrëdhënia ishte më shumë ekzotike sesa praktike. Partneri i vërtetë i Rusisë ishte Koreja e Jugut që vazhdimisht renditej në mesin e 10 partnerëve të saj kryesorë tregtarë, me afro 30 miliardë dollarë në vëllim tregtar në vitin 2021. Koreja e Veriut kurrë nuk paraqiste një partner tërheqës, ndërsa ishte subjekt i sanksioneve shumë shtrënguese të cilat Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndihmoi t’i përpilojë. Derisa nuk e pushtoi Ukrainën, me mish e me shpirt Rusia u përpoq t’u përmbahej atyre sanksioneve.

Gjithçka ndryshoi pas pushtimit. Në maj të vitit 2022 – në një zhvillim që mund të parashikonte fillimin e fundit për regjimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut – Rusia (dhe Kina) vendosën veto ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që do të mund ta penalizonte Phenianin për raundin tjetër të testeve raketore.

Në korrik 2022, Pheniani njohu republikat marioneta të pushtuara nga Rusia, Donjeckin dhe Luhanskin. Pastaj, në korrik të këtij viti, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, u paraqit në Phenian në një pritje të paprecedentë. Kimi u pa me krenari duke ia treguar atij modelet më të fundit të armëve të Koresë së Veriut. Mes buzëqeshjeve dhe miqësisë, lindi një lidhje e re.

Kërkesa e Rusisë për armë dhe municione të Koresë së Veriut (ashtu si blerja e dronëve iranianë nga Kremlini) bën me dije për një nivel të lartë të dëshpërimit në Kremlin. Me makinerinë ushtarake të lavdëruar të Rusisë, që nga ukrainasit dëshmua të jetë një tigër prej letre, ekziston poshtërimi i nënkuptuar për blerjen e armëve në vendet si Koreja e Veriut, nga një shtet i përbuzur klient. Janë gjithashtu disa konsiderata të rëndësishme praktike, të cilat Putini duhet t’i peshojë përpara se ta përqafojë Kimin.

E para – shkelja e regjimit të sanksioneve, që Rusia ka ndihmuar t’i imponojë përgjatë viteve – është ndoshta pengesa më e vogël e Putinit. Tani që vetë Rusia është bërë shtet i pafavorshëm – në bazë të sanksioneve të gjera perëndimore – është e arsyeshme që Kremlini mund të kontaktojë kolegët mashtrues. Sigurisht, ju mund të pohoni se çmontimi (i pjesshëm) i regjimit të sanksioneve do të varrosë gjithë shpresat për denuklearizimin e Phenianit, qëllim për të cilin Kremlini është, teorikisht, ende i përkushtuar. Por, Putini mund të thotë se ky është problemi më i vogël i tij në këtë kohë.

Pjesa e dytë është potencialisht më e rëndësishme. Duke e tepruar me Korenë e Veriut, Kremlini rrezikon të minojë marrëdhëniet me Korenë e Jugut. Kuptohet, lufta në Ukrainë tashmë ka ndikuar në këtë marrëdhënie, pasi Seuli iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Eksportet e Koresë së Jugut në Rusi ranë me 37 për qind në vitin 2022 (importet u ulën me 15 për qind). Por, Seuli iu bashkua këtyre sanksioneve me ngurrim, ndërsa shumë kompani koreano-jugore vazhdojnë të operojnë në Rusi. Koreja e Jugut është hallkë e dobët në frontin e sanksioneve perëndimore, situatë të cilën Kremlini mund ta shfrytëzojë në avantazhin e vet nëse do ta kishte aftësinë taktike për ta bërë këtë.

Megjithatë, Putini mund të arrijë në përfundimin se duke krijuar marrëdhënie të re me Phenianin, ai mund ta shtojë ndikimin e vet te Koreja e Jugut. Mund të besojë se sa më e ngushtë të bëhet marrëdhënia mes tij dhe Kimit, aq më të etshëm do të jenë politikanët e Koresë së Jugut për ta ruajtur dialogun me Rusinë. Kjo ishte logjika e fundit të viteve 1980, që shtyu presidentin e Koresë së Jugut, Roh Tae-woo, të niste nordpolitikën – duke iu drejtuar Moskës, për të ushtruar presion ndaj Phenianit. Në fakt, afrimi i Putinit me Korenë e Veriut, ndoqi pikërisht këtë logjikë.

Konsiderata e tretë që mund të zë vend në mendjen e Putinit, është ajo nëse Koreja e Veriut është partner i besueshëm. Në fakt, nuk është. Pheniani Luftën e Ftohtë e kaloi duke i shfrytëzuar mosmarrëveshjet midis aleatëve dhe duke i përdorur ato kundër njëri-tjetrit. U dëshmua jashtëzakonisht e vullnetshme dhe e paparashikueshme dhe, në më shumë se një rast (për shembull, gjatë kapjes së anijes USS Pueblo në vitin 1968 dhe rrëzimit të një aeroplani mbikëqyrës amerikan EC-121 në vitin 1969), bënte lojërat që mund ta kishin tërhequr Moskën në konfrontim të padëshiruar me ShBA-në.

Gjithashtu, dihet se Koreja e Veriut bëhet barrë ekonomike për miqtë dhe për partnerët ngurrues. Ende nuk dihet se çfarë pazari do të përpiqet të bëjë Kimi me Rusinë, por ai nuk ka gjasa ta shesë veten lirë.

Pavarësisht këtyre konsideratave, Putini tashmë mund ta ketë bërë zgjedhjen strategjike, për t’u afruar më shumë me Korenë e Veriut. Kjo pjesërisht është pasojë e situatës së re në të cilën ndodhet Rusia. Shkatërrimi i botës së pasluftës së ftohtë dhe rikthimi i mentalitetit të bllokut, priren të inkurajojnë këso lloj riorganizimesh. Elefanti në dhomë prej kohësh është sponsori i Phenianit, Kina, e cila gjithashtu është afruar më shumë me Rusinë, me logjikën e thellimit të konfliktit me ShBA-në. Hera e fundit që këto tri vende ishin në të njëjtën gjatësi valore, ishte në fund të viteve 1940 e deri në fillim të viteve 1950, gjë që nuk mund të përshkruhet si kohë e lumtur për Azinë verilindore.

Është ende e paqartë nëse Kimi do të takohet me Putinin, por marrëdhënia mes vendeve të tyre, qartazi po ndryshon. Dhe, jo sepse Koreja e Veriut po ndryshon, por sepse Rusia po ndryshon. Ka filluar t’i ngjajë gjithnjë e më shumë Koresë së Veriut. Pavarësisht nëse armatimet e Koresë së Veriut e gjejnë rrugën e vet drejt vijës së frontit në Ukrainë, zbritja e Rusisë në thellësitë e tiranisë, në fytyrën e Kimit do ta sjellë një buzëqeshje kënaqësie. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version