Trajneri i futbollit Afrim Tovërlani, ka reaguar pas raportimeve se të martën ishte arrestuar pasi është kapur nga policia me një armë të ftohtë tek shtëpia e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Tovërlani sqaroi se nuk e ka kërcënuar Ahmetin, duke thënë se me të njihet shumë moti dhe e ka mik.
“Falënderoj të gjithë të cilët kanë shpreh interesim lidhur me rastin tim. Jam shumë i befasuar nga ana e mediave të Kosovës se si e kanë trajtuar dhe paraqitur ndodhinë time me tituj skandaloz dhe bombastik në raport me mikun tim Shpend Ahmeti. Në fakt e vërteta e këtij rasti është shumë më ndryshe dhe se unë njihem shumë moti me Shpendin, dhe nuk është e vërtetë se e kam kërcënuar, gjë të cilën e ka mohuar edhe vet kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti me postimin e tij në profilin personal në Facebook”, shkruan Tovërlani.
Ai, kritikoi mediat për tituj jotransaprent në raport me ngjarjen.
“E falënderoj për deklarimin korrekt Shpend Ahmetin dhe mohimin e tij lidhur me titujt e mediave, kinse unë e kam kërcënuar me thikë kryetarin e Prishtinës dhe se e vërteta e këtij rasti nuk është pasqyruar nga ana e mediave se si ka qenë puna dhe me kanë trajtuar si një “kriminel” duke mos pasur asnjë fakt apo edhe provë mbi të vërtetën e rastit. Është për të ardhur keq se si mediat e Kosovës, keqpërdorin emrat tonë që të përfitojnë për interesat e tyre! Së shpejti do të pimë kafe me Shpendin”, shkruan ai. /Telegrafi/