Telegrafi

​Afrim Tovërlani lirohet nga mbajtja policore

Trajneri i futbollit Afrim Tovërlani, tashmë është liruar nga mbajtja policore.

Tovërlani të martën u raportua se ishte arrestuar pasi është kapur nga policia me një armë të ftohtë tek shtëpia e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një armë e ftohtë-thikë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

I pyetur rreth kësaj ngjarje, Toverlani nuk ka dashur të komentojë më tepër duke thënë se nuk ka se çfarë të deklarojë më tepër se sa ajo që kishte thënë mbrëmë i pari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.

Lexo po ashtu Reagon Ahmeti: Nuk u ballafaqova fizikisht me Toverlanin, por nuk janë të mirëseardhura vizitat e tij kur nuk jam në shtëpi

“Nuk kam çfarë të deklarojë perveç deklaratës së Shpendit që e ka publikuar mbrëmë”, tha Toverlani për KP.

Ndryshe, Ahmeti përmes një postimi në Facebook dje deklaroi se ai nuk ishte kërcënuar dhe se nuk ndihej i rrezikuar nga Toverlani, duke shtuar se ka një miqësi shumë të mire me të.