Qeveria e Kosovës ditën e sotme (e mërkurë) ka qartësuar lajmin rreth lejimit të dasmave dhe ahengjeve të ndryshme muzikore.
Kjo pasi ditën e djeshme me vendimin e ministrit të Industrisë dhe Tregtisë, Vesel Krasniqi, është krijuar një paqartësi në publik rreth asaj se nëse do mbahen apo jo dasmat nga fillimi i muajit tjetër.
Lidhur me vendimin e ri të Qeverisë, kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se ende nuk është marrë një vendim final rreth kësaj çështjeje.
Ndërkohë në një prononcim për Telegrafin, këngëtari i mirënjohur Afrim Muçiqi ka thënë se mirëpritet çfarëdo vendimi i Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ne kemi dëgjuar dje një vendim të Qeverisë për lejimin e dasmave, që është thënë se do të mbahen nga 1 korriku. Megjithatë, ne jemi duke pritur ende dhe mirëpresim çdo vendim që merret duke respektuar masat ndaj COVID-19, marrë parasysh që primare është shëndeti i njeriut”, ka thënë Muçiqi për Telegrafin.
Artisti njohur i muzikës popullore shprehet optimist, duke shtuar se me manualin e ri do të publikohet edhe udhëzuesi për mënyrën dhe rregullat se di do të mbahen ahengjet muzikore.
“Unë jam i bindur dhe i sigurtë që me manulin e ri i cili do të publikohet së shpejti do të merret ky vendim për lejimin e dasmave, por do të shohim rrethanat dhe udhëzuesin rreth tyre. Andaj do mirëpresim çfarëdo vendimi që merr Qeveria”, ka thënë tutje artisti shqiptar.
Ky është postimi i plotë i kryeministrit Hoti:
“Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për lejimin e dasmave dhe ahengjeve. Më datën 1 korrik, përfaqësuesit e estradës dhe hotelerisë do të takohen me Ministrinë e Shëndetësisë për të vlerësuar nëse ka kushte që të zhvillohen aktivitete të tilla.
Të gjitha masat lehtësuese që janë ndërmarrë deri më tani, janë duke u monitoruar nga afër dhe po vlerësohen vazhdimisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë.
Prandaj, kërkohet nga qytetarët që të tregojnë kujdes dhe t’i respektojnë masat. Në të kundërtën, në rast të përkeqësimit të situatës, prioritet mbetet jeta e qytetarit dhe do të fillojmë me aplikim të masave të reja për mbrojtje nga përhapja e virusit!”.
/Telegrafi/