Telegrafi

Afrim Muçiqi i bashkangjitet thirrjes së Labit: Nëse në Parlament mblidhen 200 persona, pse të ketë rrezik në një dasmë

Këngëtari i njohur shqiptar, Afrim Muçiqi, së fundmi ka qenë i përfshirë në një lidhje direkte në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ndërsa ka folur rreth vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për ndalimin e ahengjeve muzikore.

Ai thotë se pajtohet plotësisht me thirrjen e këngëtarit Labinot Tahiri për protestë, pasi mendon se kjo gjë po iu bëhet e padrejtë artistëve në tërësi.

“Deklarata e ministrit është keqkuptuar, në të gjitha portalet ka qenë që nuk do mbahen dasmat, por kjo nuk është përfundimtare. Është e padrejtë, pse mos të thuhet përfundimisht ndoshta”, ka thënë Muçiqi.

Afrim Muçiqi (Foto: YouTube)

Muqiçi shton se nuk do ketë rrezik në një dasmë, përderisa nuk ka rrezik në Parlament – kur edhe aty janë afro 200 persona.

“Pajtohem plotësisht me Labinotin, sepse edhe unë si anëtar si artist i profesionit normalisht se i bashkangjitem kësaj thirrjeje. Ndoshta tepër me qenë ekstreme po megjithatë po du me ia shtu edhe Labit edhe të tjerëve, kur ka mundësi që në Parlament të mblidhen 200 veta në një sallë edhe të mos ketë rrezik pse të ketë rrezik në një dasmë, e cila tani falë zotit ka shumë restorante të bukura në Kosovë edhe me madhësi të mëdha në rast se nuk bëhen 500 dasmorë mund të bëhet me 200”, ka thënë mes tjerash ai.

Tutje, këngëtari i mirënjohur shton se kjo nuk i dëmton vetëm këngëtarët por edhe profesionet e tjera që janë të përfshira në këtë zingjir.

“Kështu që gjithmonë duke pasur parasysh rrezikun e qytetarëve etj etj, por kur ka mundësi për biznese të tjera pse ne të diskriminuar dhe dhe të na mohohet kjo e drejtë sepse këtu nuk përfshihen vetëm këngëtarët dhe orkestrat, por është një zingjir pak më i madh, këtu përfshihen edhe bujqit tanë që i kultivojnë prodhimet e veta ata duhet t’i shesin se në kohë të dasmave restorantet punojnë jashtëzakonisht shumë dhe të gjitha veprimtaritë e tyre bujqësore shiten nëpër ato restorante, pastaj prodhuesit e mishit, pijeve pastaj sallonet e frizereve etj”, vazhdon më tej Muçiqi. /Telegrafi/