Ka qenë viti 1996, vit i një epoke pa internet, rrjete sociale dhe pa hapje me botën, kur Hit-Kompozitori i njohur kosovar Afrim Macula, po transformonte Grupin muzikor të njohur të kohës ‘NARD’ në Grupin “YJET”.
Para Grupit “NARD” dhe “YJET”, Afrim Macula do njihej si themelues i grupit famoz muzikor të kohës ‘BESNIKËT’ e Sinan Vllasaliut.
Bashkë me këtë transformim po ndodhte edhe rokada në mes të këngëtarëve. Ramadan Krasniqi – Dani do të kalonte tek Grupi ‘CORONA’ ndërsa Afrim Muçiqi po i bashkohej Afrim Maculës tek ‘YJET’.
Nga ajo kohë e deri më sot dyshja Macula-Muçiqi, çdoherë të pandarë.
Sot, siç duket gjërat kanë ndryshuar. Është Afrim Macula, udhëheqësi artisktik i Grupit “YJET” nga Prishtina, që ka vendosur të ndaj rrugët me kolegët e derisotshëm.
Vendimi, thotë se vie, në një kohë, kur fatkeqësisht jemi dëshmitarë të deficitit të mirëfilltë muzikor dhe një krize të përgjithshme në kërkim të kualitetit dhe se nuk ka të bëjë asgjë me raportet personale.
Lajmin e ka bërë të ditur vet kompozitori, në një postim të tij në Facebook.
Postimi i plotë:
“Të dashur koleg, miq e bashkëpunëtorë,Ju njoftoj sot, se pas 25 vitesh, ka ardhur koha ti them lamtumirë bashkëpunimit profesional me Afrim Muçiqin dhe Grupin tim muzikor “YJET’ nga Prishtina.Në jetën dhe karrierën time dhe në këto 25 vite bashkëpunimi, si udhëheqës dhe drejtues i Grupit ‘Yjet’, jam munduar të jap më të mirën profesionale.
Sot po heq dorë, për tju kthyer angazhimeve personale muzikore në studion time.
Për vitet e funksionimit të grupit “Yjet” nën drejtimin tim, përpos anëtarëve aktual, kaluan edhe emra të tjerë kolegësh muzicient, e të cilët poashtu gjej rastin ti falënderoj sot për rrugën që e kemi bërë.
Tërheqja ime nuk ka të bëjë asgjë me raportet personale.Si kompozitor, besoj i shumë hiteve të bukura gjatë jetës,e kjo fal’ edhe bashkëpunëtorëve të mirë, shumë rrugë të jetës muzikore më mbeten të hapura.
Vendimin po e marr në një kohë, kur fatkeqësisht jemi dëshmitarë të deficitit të mirëfilltë muzikor dhe një krize të përgjithshme në kërkim të kualitetit.
Afrimit, ‘Yjeve’ ju uroj sukses dhe shëndet”, shkruan Afrim Macula.
Ndryshe Afrim Macula njihet dhe mbetet si hit-kompozitor i këngëve më të njohura duke bashkëpunuar me hit-këngëtarët më të njohur të kohës./RADIO 1/