Telegrafi

Afrim Gashi konfirmoi se dje ka udhëtuar në Kosovë

Policia po kontrollon nëse Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka shkuar në një dasmë në Kosovë me veturë zyrtare dhe kolona e veturave që e shoqëronte ka bllokuar pikën kufitare.

Qëllimi është të konstatohet nëse në këtë rast ka keqpërdorim të automjeteve shtetërore. Automjetet zyrtare përdoren me urdhër të përshtatshëm udhëtimi, me arsyetim për qëllimin për të cilin përdoren automjetet, kohëzgjatjen dhe kostot e udhëtimit.

Derisa opinioni është në pritje të përgjigjeve për rastin, partnerët e koalicionit nga Qeveria ende heshtin. Me një reagim deri më tani ka dalë vetëm Partia Liberal Demokratike, duke thënë se ky është skandali i dytë i Gashit brenda një muaji. Përndryshe, për rastin e Aeroportit të Shkupit, MPB-ja në fillim të këtij muaji ngriti kallëzim penal kundër shefit të sigurimit të Gashit, ndërsa ndaj kryeparlamentatit nuk ka pasur asnjë veprim dhe as nuk është kërkuar përgjegjësi.

Në ndërkohë nga kabineti i kryeparlamentari Afrim Gashi u shprehën se udhëtimi i djeshëm i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi në Kosovë, ka qenë në përputhje me të gjitha procedurat e parapara sipas ligjit.

‘”Duke pasur parasysh pretendimet e pasakta dhe tendencioze të mediave të caktuara për udhëtimin e djeshëm të Kryetarit të Kuvendit, konsiderojmë se është e nevojshme ta informojmë opinionin për faktet e mëposhtme. Kryetari i Kuvendit përcillet nga sigurimi 24/7, gjithsesi konform ligjit. Ky rend i sigurisë funksionon saktë siç parasheh ligji dhe në pajtim me të gjitha protokollet. Më 17 gusht 2024, Kryetari i Kuvendit, së bashku me familjen e tij, ka udhëtuar për në shtetin fqinj, në Kosovë. Kjo vizitë ka qenë tërësisht transparente dhe i ka respektuar të gjitha procedurat e nevojshme të sigurisë. Para nisjes janë njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Jashtme dhe është dorëzuar gjithë dokumentacioni i nevojshëm sipas protokollit për çdo zyrtar që largohet nga vendi. Autoritetet kompetente mund ta konfirmojnë këtë informacion, se të gjitha procedurat janë në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e Kryetarit të Kuvendit”, u shprehën nga kabineti i i Afrim Gashit./