Site icon Telegrafi

Afrikë e Jugut, dhunë brenda dhe jashtë Parlamentit

Dhuna shpërtheu në Parlamentin e Afrikës së Jugut, ndërsa deputetë të opozitës u përpoqën që të ndërpresin fjalimin për kombin të presidentit Jacob Zuma.

Anëtarët e partisë radikale “Luftëtarët e Lirisë Ekonomike”, të gjithë të veshur me të kuqe, u përleshën me rojet e sigurisë, të cilët pas disa minutash shkëmbimi grushtesh mundën t’i nxjerrin jashtë sallës.

Presidenti Zuma kishte tentuar dy herë që të niste fjalimin e tij, por ishte ndalur nga thirrjet e deputetëve të partisë radikale.

Dhuna në Parlament ishte mbase një zgjatim i asaj që ndodhi jashtë ndërtesës, ku policia përdori forcën dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë mbështetësit e opozitës dhe të qeverisë që manifestonin, transmeton tch.

Presidenti Zuma është akuzuar shpesh për korrupsion dhe menaxhimin e keq të ekonomisë. Prej kohësh, deputetët e opozitës, por dhe opozita në përgjithësi, kërkojnë dorëheqjen e tij, kërkesa që janë përsëritur edhe nga protestat kundër qeverisë së tij.

Exit mobile version