Site icon Telegrafi

Afri e dallime midis Camajt dhe Ungarettit

Ilustrim

“Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt është ajo e lartësisë.” – Ismail Kadare

Nga: Alfred Çapaliku

AFRI

Giuseppe Ungaretti dhe Martin Camaj jetuan në të njëjtin shekull të trazuar, të njëzetin; u zhvendosën në të njëjtin areal gjeografik, mesdhetarin; spikatën në të njëjtin model ekspresiv, hermetikun. I pari u shua në Itali me ëndrrën e çmimit ndërkombëtar Nobel ndër sy. I dyti i mbylli sytë para se të institucionalizohej me botim vepre në Shqipëri. Ata u takuan fizikisht në vitet 1956-1960, në auditorët e Universitetit “La Sapienza”, ku Ungaretti ishte pedagog i letërsisë moderne italiane dhe i asaj bashkëkohore. Martin Camajt, poetit të promovuar në Prishtinë dhe më pas studentit doktorant në Romë, i takoi të dëgjonte prej profesorit ekspert Giuseppe Ungaretti komente mbi Danten, Petrarkën, Leopardin. Gjithashu ndoqi një cikël leksionesh mbi laboratorin krijues të vetë Mjeshtrit i cili kishte arritur në atë kohë një famë mjaft të qartë botërore. Lektori sharmant rrëfehej aty kësisoj: “Poezia e vërtetë paraqitet para së gjithash në fshehtësinë e saj. Përherë ka ndodhur kështu. Sa më shumë arrijmë t’i përçojmë emocionet dhe të renë e vizioneve tona ndër fjalë, aq më shumë fjalët arrijnë të vishen me muzikë që është e para treguese e thellësisë poetike përtej çdo caku të përmbajtjes.” (1)

Ungaretti e Camaj u ngritën kundër kallëpit formal të traditës përmes vargut të lirë esencial të cilin e kultivuan gjer në përsosmëri. Të dy kanë dramaturgji dialogu dhe si poetë shumështresorë janë shprehës të dikotomisë, dy gjendjeve shpirtërore në të njëjtën kohë. Dyzimi, si një medium spiritizmi, përcillet tek lexuesit. Ndaj poezia e tyre ka horizont të gjerë pritjeje. Ata ishin “poeta doctus” që donin t’u jepnin zë emrave. Kredoja e Ungarettit më 1928 qe: “Heshtjen me emra e popullova”. Postulati i Camajt më 1967 qe: “Zani në fjalë … jetë mbas jete”.

Dy personalitetet letrare i përjetuan kontrastet mes botës së njohur dhe asaj të huaj, mes ngrohtësisë dhe acarit, mes dritës dhe territ. Parimi binar: të dalësh mes të tjerëve dhe të tërhiqesh në vetvete, iu bë atyre në mënyrë të natyrshme njëri nga elementet mbizotërues të shprehësisë poetike. Estetika e funksionalizuar aty mund të përkufizohet si kodifikim i individuales dhe si transmetim i arketipit kombëtar. Tek verbi monologues i Giuseppe Ungarettit vihet re pjesa e parë e formulimit, universalizimi i personales, si tek poezia “Jam një krijesë:

“Si kjo shtatore / është vaji im /  që nuk shihet. /  Vdekja vuhet / duke jetuar.“

Te diskursi poetik i Martin Camajt spikat pjesa e dytë e rregullit, universalizimi i kombëtares, si në vargjet e poezisë “Trajta”:

“Trajtë e thjeshtë e lindun / ndër mundime prej guri /
e përshkueme shtigjesh të parrahuna / me kamë ose patkoj …”

Te vargjet e dy demiurgëve shfaqet bardhezia që formon grafikën. Kalimi nga poezia në pikturë ndodh veç tek artistët me fushë të elektrizuar mendimi.

Sipas vizionit të kritikes letrare italiane Anna De Simone, tek përmbledhja e veprave të autorit në Milano, poezia e konceptuar në udhëtimin e shqetësuar të Ungarettit është shpëtim, dritë, hijeshi. Por: “Në vargjet e Peizazhit përballesh me shndërrimet e formave, të vendeve, të orëve. Nëse mëngjesi “ka një kurorë mendimesh të freskëta”, në mbrëmje ngjyrat zymtohen për t’u përzier në fund me natën e shqyer nga “fishkëllimat e trenave të nisur”, kur fytyra e njeriut çliruar nga aq shumë maska duket e lodhur dhe e zhgënjyer. (2)

Ndërsa sipas pikëpamjess së eseistit Ardian Klosi, tek botimi i parë i veprës letrare të Martin Camajt në Tiranë: “Element i poezisë së Camajt janë trajtat e shkurtra lakonike, me kapërcime befasuese dhe pa ndonjë fabul logjike, ku heshtja shkëmbehet me fjalën dhe fjala sapak e nxjerr kryet si dhe tek Ungaretti.” (3)

Konstatimi është i saktë, mbasi që në fillimet e saj poezia hermetike merr si pikënisje zotërimin e teknikave të kultivuara stilistike dhe leksikun e pasur, thikë me dy presa. Ky binom del si paramendim i inovacionit fin tek çdo përfaqësues eminent i kësaj shkolle të sofistikuar letrare.

Nga ana e tij teoricieni i kritikës artistike dhe poeti i njohur Arshi Pipa, në një revistë në Prishtinë ka zbuluar se: “Shumica e vargjeve të çuditshme në “Lirika mes dy moteve” dhe “Njeriu me vete e me të tjerët” janë variante të imituara nga “M’ ilumino d’ immenso”, një lojë mes të ngjashmes dhe të pangjashmes.” (4)

Sërish konstatimi është i saktë. Jo rastësisht më 1960 Martin Camaj e përktheu, si student pasuniversitar në kryeqytetin italian dhe më 1961 e publikoi po atje, si redaktor në revistë bilinge “Shèjzat – Le Pleiadi”, ciklin me lirika të zgjedhura nga vepra e njohur e Giuseppe Ungarettit: “Sentimento del tempo” – “Ndjesi kohe”:

“T’afretta, tempo, / a pormi sulle labra / Le tue labbra ultime.
Shpejto, ti kohë, / të ndalsh mbi buzët e mija / Buzët e sprasme të tua.”

Përkthimin e tij brilant Martin Camaj e projektoi me titra në ekranin e madh kulturor dygjuhësh italisht – shqip: “Krejt pesha e kujdesi i Ungarettit ndalet mbi fjalë e cila, tue përmbledhë në vehte masa rigoroze kuptimi dhe shpërthime të një muzikaliteti të ri, asht shum e zgjedhun e tepër delikate. Për kët arsye i jam lutë Prof. Koliqit, që t’u a lëshojë nji sy këtyne vargjeve të shqipnueme…” (5)

DALLIME

Studiuesi Stefan Çapaliku në një artikull kritik i pohon përqasjet në ekspresion sipas parimit të enëve komunikuese, gjithashtu vë re edhe largimet në kromatikë mes Martin Camajt dhe Ungarettit: “I nisur prej një tradite thjesht vendëse, poezia e Camajt do të njohë frymëzimet e para formale prej mësuesit dhe mjeshtrit të madh të poezisë hermetike, Giuseppe Ungarettit. Duke tentuar të mbesë një poet origjinal, fazën e tretë, atë të Mynihut, ai e ndërton përgjatë një kapërthimi të fuqishëm ekstremesh: kulturës primitive vendëse, me atë elitare evropiane.” (6)

Ndërsa kulturologu gjerman Hans Joachim Lanksch e lë çështjen të hapur për hulumtim të mëtejshëm dhe për interpretim të mëvonshëm: “Duket se puna e “ndikimit” ungarettian s’është studiuar si dhe sa duhet, për të dalluar se sa e cilat ndër dukuritë e “hermetizmit” camajan rrjedhin nga ndikimi i Ungarettit dhe sa e cilat rrjedhin nga themeli i poezisë së Camajt, nga traditat gojore të Mbishkodrës, duke u puqur me procedeun poetik të Ungarettit.” (7)

Edhe në rastin e poligjenezës krijuese, edhe në sfondin e reminishencës së pavetëdijshme, poeti origjinal Camaj strukturon letërsinë jofunksionale e brenda saj kuptimin shumëdimensionesh, që ndryshon nga vargu esencial i poezisë së Ungarettit. Vjen një çast kur Martin Camaj i thotë vetes dhe ne:

“Kur të vdes le të bahem gur / në skajin e vendit tem / të qindroj kufi”.

Kështu ai dallon nga Ungaretti për nga ana e shprehësisë së bazuar në palimsest. Kthimi te zanafilla, si pikëmbërritje, është rruga e gjenive të letrave. E pikërisht këtu Martin Camaj nuk shqipëron më nga italishtja Giuseppe Ungarettin, por më 1991 përkthehet për vete në gjermanisht nga Hans – Joachim Lankschi, mbasi e ka formuar tash opusin e tij identifikues, prestigjioz:

“Tingull ose ngjyrë / E kthjellët deri në dritë. | Klang oder Farbe / Lichklar.” (8)

Duke e sintetitizuar prurjen poetike konkurruese, jo vetëm përmes hermetizmit të Ungarettit, studiuesi Giuseppe Petroni tek një vepër e historisë së letërsisë italiane në vitin 1972 shprehej: “Vepra e tij ka ushtruar mbi lirikën dhe kulturën tonë të tridhjetë viteve të fundit një ndikim që është e vështirë të matet.” (9)

“Ungaretti / njeri vuajtjeje / mjafton një shpresë e kotë / që të marrësh guxim.” – “Pellegrinaggio”.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe për tridhjetë vitet e fundit (1992 – 2022) të historisë së letërsisë shqiptare, kohë kur poezia poliforme e Camajt ka hyrë si dukuri e re dhe ka zënë vend plot dinjitet në sistemin e hapur të vlerave.

“Flokët e borës digjen në takim me sende / e njeriu ndërron fëtyrë vetëm përmbrenda.” – “Natura morta”.

Figurat enciklopedike Giuseppe Ungaretti (Alessandria, Egjipt8 shkurt 1888 – Milano, Itali 2 qershor 1970) dhe Martin Camaj (Temal,Shqipëri 21 korrik 1925- Lenggries, Gjermani 12 mars 1992) qenë shpikës të fjalëve vetëlëvizëse. /Gazeta “ExLibris/

______________
REFERENCA:

1. Giuseppe Ungaretti: “Ragione di una poesia”. Ungaretti. Vita, poetica. Opere scelte. Milano, 2007, p. 566.
2. Anna De Simone: “Vita e poetica”. Ungaretti. Vita, poetica. Opere scelte. Milano, 2007, p. 71.
3. Ardian Klosi: “Takim me Martin Camajn”. Martin Camaj. Vepra letrare 1. Tiranë 1996, fq. 30 – 31.
4. Arshi Pipa: “Martin Camaj”. Rev. “Jeta e re”. Prishtinë. Nr. 11 / 1996, f. 33.
5. Martin Camaj: “Vjerrsha nga Giuseppe Ungaretti”. Rev. “Shèjzat – Le Pleiadi”. Roma. Nr. 3 – 4 / 1961, f. 93; p. 95.
6. Stefan Çapaliku: “Mbi estetikën e poezisë së Camajt”. Rev. “Phoenix”. Shkodër. Nr. 2 / 1997, f. 79.
7. Hans – Joachim Lanksch: “Poeti Martin Camaj”. Rev. “Ars”. Tiranë – Prishtinë. 28. 04. 2002, f. 12.
8. Martin Camaj: “Trajta – Form”. Gedichte. Munchen 1991, f. 52; s. 53.
9. Giuseppe Petronio: L’attività letteraria in Italia. Storia della letteratura. “Tra le due guerre. 4. La lirica. c) Giuseppe Ungaretti. ”. Milano, 1972, p. 861.

Exit mobile version