Këngëtarja dhe modelja e njohur, Afërdita Dreshaj, të martën është bërë nënë për herë të parë.
Ajo dhe bashkëshorti i saj, hokeisti çek, Jakub Kindl, sollën në jetë një djalë, të cilën e pagëzuan me emrin Sky Blue.
Dy ditë pasi bëri publike ardhjen në jetë të fëmijës, Dreshaj vendosi të ndajë me fansat edhe momentin e parë kur e takoi atë.
Ajo ka publikuar në rrjetin social Instagram një fotografi, ku shfaqet së bashku me bashkëshortin, teksa i japin një përqafim më të voglit të tyre , pas takimit të parë me të në shtratin e spitalit.
“Sky Blue, ti ke ndryshuar jetën tonë përgjithmonë…zemrat tona po shpërthejnë nga dashuria, 16 mars 2021”, ka shkruar këngëtarja dhe modelja e njohur në mbishkrimin e fotografisë.
Ndërkohë, të shumta kanë qenë pëlqimet dhe komentet nga ana e ndjekësve për çiftin, të cilët i kanë uruar jetë të gjatë të porsalindurit.
Sky Blue, i cili si emër është komentuar shumë nga fansat, ka kuptimin në gjuhën shqipe “Qiell i kaltër”. /Telegrafi/